Last Updated on 07/04/2026 by Anisa
Udhëheqësi i opozitës, Peter Magyar, ka komentuar vizitën e zëvendëspresidentit të SHBA-së, JD Vance, në Hungari duke e quajtur atë si një përpjekje të huaj për të ndikuar në zgjedhjet hungareze.
“Asnjë vend i huaj nuk mund të ndërhyjë në zgjedhjet hungareze. Ky është vendi ynë. Historia hungareze nuk është shkruar në Uashington, Moskë apo Bruksel – ajo është shkruar në rrugët dhe sheshet e Hungarisë. Pesë ditë kanë mbetur!”, tha ai.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, e cilësoi vizitën e Vance historike. Ai vuri në dukje se kjo është vizita e parë e një zëvendëspresidenti amerikan në Hungari që nga viti 1991 dhe vizita e nivelit më të lartë e SHBA-së që nga George W. Bush në vitin 2006.
“Nuk ka dyshim se kjo është një epokë e artë për marrëdhëniet hungarezo-amerikane”, theksoi Szijjártó, duke nënvizuar afërsinë politike dhe ideologjike, si dhe miqësinë mes Donald Trump dhe Viktor Orban.
Kujtojmë se këtë të martë, JD Vance mbërrin në Budapest me Air Force Two, në Aeroportin Ndërkombëtar Liszt Ferenc.
