Në episodin e podcastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama ka folur edhe lidhur me vizitat e tij zyrtare në Romë dhe Barcelonë.
Rama vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë aktuale italiane, ku tha se marrëdhënia mes dy vendeve thelluar përmes projekteve të bashkëpunimit strategjik.
Ndër të tjera, foli edhe për pjesëmarrjen në samitin në Barcelonë me ftesë të kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, ku u shpreh se Shqipëria nuk është më thjesht e pranishme, por është e besuar, e respektuar dhe është e vlerësuar si një nga aktorët në tryezë.
“Këtë javë pata një udhëtim me dy ndalesa, në Romë dhe në Barcelonë. Në Romë, ku u takova me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, ishte një moment për të bërë një bilanc të ecurisë së projekteve të përbashkëta dhe, nga ana tjetër, për të konfirmuar përmes kësaj ecurie fazën e re të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, sepse Italia ka qenë gjithmonë pranë Shqipërisë.
Të gjitha qeveritë italiane, pa dallim, kanë qenë të gatshme dhe gjithmonë të vëmendshme për ta mbështetur dhe ndihmuar Shqipërinë. Por, me qeverinë aktuale të Republikës së Italisë, gjërat kanë shkuar në një nivel tjetër. Bashkëpunimi nuk është thjesht një bashkëpunim i cili bazohet te angazhimi reciprok. Në këtë rast, sigurisht, pjesa më e rëndësishme është ajo e qeverisë italiane për të punuar së bashku, për të qenë vazhdimisht në një rrugë të përbashkët, por mbështetet edhe në një sërë projektesh konkrete.
Pra, edhe firmosja e marrëveshjes strategjike mes dy qeverive në takimin e mëparshëm në Romë është, në të vërtetë, pasqyra më kuptimplotë e faktit se marrëdhënia, e cila gjithmonë ka qenë e karakterizuar si strategjike, ka marrë një ngjyrë të re përmes projekteve të bashkëpunimit strategjik. Një bashkëpunim i strukturuar, një bashkëpunim i cili lidhet qoftë me zhvillimin, qoftë me sigurinë.
Pas Romës pata një vizitë në Barcelonë, ku, me ftesë të kryeministrit Pedro Sanchez, mora pjesë në tryezën e përbashkët të samitit të quajtur “Në mbrojtje të Demokracisë” dhe, përpara këtij samiti, së bashku me delegacionin, u pritëm me nderim të veçantë nga Dhoma e Tregtisë e Katalonjës, ku u pa qartë një nivel krejt i ri i respektit dhe interesimit për Shqipërinë edhe nga biznesi i atij vendi. Një vend, emri i të cilit, jo shumë vite më parë në Spanjë, si Shqipëria, lidhej me paragjykime, sot është kthyer në një nga destinacionet e preferuara të qytetarëve spanjollë, posaçërisht të rinisë spanjolle, si destinacion turistik, ndërkohë që marrëdhëniet shtetërore nuk kanë qenë asnjëherë më mirë sesa sot. Pjesëmarrja në samitin “Në mbrojtje të Demokracisë” dhe pritja nga Kryeministri Pedro Sanchez ishin edhe ato pjesë e sa thashë pak më lart, në aspektin që Shqipëria nuk është më thjesht e pranishme, por është e besuar, është e respektuar dhe është e vlerësuar si një nga aktorët në tryezë. Dhe, për ta mbyllur me këtë shënim, këto ndalesa nxjerrin në pah qartë edhe njëherë se si partnerët tanë seriozë dhe të konfirmuar ndërkombëtarisht, për angazhimet tona, për vullnetin tonë e, mbi të gjitha, falë ecurisë dhe transformimit tonë për të cilin flasin të gjithë, na kanë sjellë në një pikë ku kemi vetëm një dhe vetëm një rrugë: të ecim me shpejtësi vetëm përpara”, tha Rama./mxh
