Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy mbërriti këtë të premte në Shtetet e Bashkuara, ku pritet të takohet me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump.
Në qendër të diskutimeve do të jetë lufta në Ukrainë, ku Zelensky pritet të kërkojë raketa me rreze të gjatë veprimi, në përpjekje për të përballuar ofensivën ruse.
Vetëm një ditë para këtij takimi, Presidenti Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin rus Vladimir Putin, të cilën e përshkroi si “shumë produktive”. Trump njoftoi se të dy udhëheqësit kanë rënë dakord të zhvillojnë një tjetër samit, këtë herë në Budapest, për të diskutuar fundin e luftës në Ukrainë. Kremlini konfirmoi se planet për një takim janë në zhvillim, por pa dhënë një datë specifike.
Megjithatë, toni pajtues i Presidentit Trump ndaj Moskës ka ngritur shqetësime në Europë për një lëshim të mundshëm të Uashingtonit ndaj kërkesave ruse. /K.M
