Last Updated on 25/02/2026 by Anisa
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i është drejtuar zyrtarisht Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) me kërkesë për fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Irena Brahimi.
Kërkesa vjen pas një ankese të mbërritur në rrugë elektronike nga shtetasi me iniciale E.L., lidhur me një çështje penale me objekt “Kundërshtim i vendimit të Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për mosfillimin e procedimit penal”. Pas marrjes së ankesës, Ministria e Drejtësisë ka kryer verifikimin administrativ përkatës.
Sipas shkresës së firmosur nga ministri Lamallari, në fushën penale, neni 430/1 i Kodit të Procedurës Penale parashikon se kur vendimi shpallet i përmbledhur, ai duhet të arsyetohet brenda 30 ditëve nga shpallja, me mundësi zgjatjeje edhe për 30 ditë të tjera në rastet e parashikuara nga ligji.
Megjithatë, në rastin konkret, dorëzimi i vendimit të arsyetuar është vonuar për 1 vit, 10 muaj dhe 20 ditë, duke tejkaluar ndjeshëm afatet procedurale të përcaktuara në ligj.
Në shkresë theksohet se një vonesë e tillë cenon standardin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm dhe ndikon drejtpërdrejt në realizimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, pasi pengon palët në ushtrimin në kohë të mjeteve të ankimit.
“Ekzistojnë elementë të mjaftueshëm për fillimin e procedimit disiplinor për shkelje të detyrimeve procedurale të përcaktuara në nenin 430/1 të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në kërkesën drejtuar ILD-së.
Kjo është kërkesa e pestë që ministri Lamallari depoziton pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë që prej marrjes së detyrës, nga të cilat katër janë kërkesa për hetim disiplinor dhe një për verifikim ankese./A.D
