Last Updated on 10/08/2026 by EL
Detaje të reja dalin në dritë nga hetimet për vrasjen e Joan Zykos në Korçë, ngjarje për të cilën është arrestuar në flagrancë Kristjan Sterjo, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në dëshminë e dhënë përpara hetuesve, Sterjo ka rrëfyer versionin e tij për mënyrën se si është zhvilluar ngjarja. Sipas deklarimit të tij, konflikti me Joan Zykon kishte nisur rreth dy javë më parë, pas një debati verbal mes tyre.
Sterjo ka deklaruar se ditën e ngjarjes ka qenë pranë lokaleve përballë kinemasë, kur ka parë automjetin Mercedes-Benz C-Class që, sipas tij, përdorej ose ishte në pronësi të Joan Zykos.
Sipas dëshmisë, pasi automjeti ka ndaluar, Sterjo është afruar pranë drejtuesit. Ai pretendon se Zykos ka pasur një thikë me vete dhe është përpjekur ta godasë, ndërsa më pas ka zbritur nga automjeti. Në këtë moment, sipas deklarimit të Sterjos, ka pasur përplasje fizike mes tyre dhe disa persona kanë ndërhyrë për t’i ndarë.
Pas largimit nga vendi, Sterjo ka deklaruar se është kthyer në banesën e tij, ku ka marrë një armë zjarri që, sipas tij, e kishte mbajtur të fshehur më parë.
Më pas, sipas dëshmisë së tij, ai është nisur në drejtim të zonës ku banonte Zykos dhe e ka parë pranë një lokali përballë marketit “EUROMARKET”, në lagjen nr. 14.
Sipas deklarimit, Sterjo është afruar drejt Zykos pasi ka marrë armën nga një thes. Zykos është larguar me vrap dhe Sterjo e ka ndjekur deri në një pallat. Aty, sipas dëshmisë së tij, ka qëlluar me armë në drejtim të Zykos.
Pas të shtënës, Sterjo deklaron se nuk e ka parë nëse Zykos ishte plagosur apo çfarë i kishte ndodhur. Më pas është larguar nga zona dhe, sipas tij, e ka fshehur armën në disa shkurre pranë “Fushës së Drurëve”.
Pas kthimit në banesë, ai është ndërruar dhe rrobat që kishte veshur i ka futur në lavatriçe. Më pas ka qëndruar për një periudhë në një banesë të pabanuar pranë shtëpisë së tij.
Në vijim të veprimeve hetimore, policia ka bërë arrestimin në flagrancë të Kristjan Sterjos më 9 gusht, rreth orës 00:30.
Gjatë kontrollit personal, sipas dokumentit hetimor, atij i janë sekuestruar një telefon i markës Xiaomi dhe një karikues. Gjithashtu, janë administruar mostra për ekzaminime kriminalistike, si dhe veshjet që Sterjo kishte në momentin e ngjarjes./et
