Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka propozuar të dielën, 25 janar, krijimin e një ekipi të posaçëm operativ dhe forcimin e kapaciteteve shtetërore, me qëllim përshpejtimin e reformave dhe avancimin më të shpejtë të vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Propozimi u bë gjatë një seance të Qeverisë së Serbisë, ku Vuçiç sugjeroi që në krye të ekipit operativ të emërohet shefi i Misionit të Serbisë në BE në Bruksel, Danijel Apostoloviç. Sipas tij, ekipi duhet të përbëhet nga 8 deri në 10 persona, të cilët do të jenë në kontakt të përditshëm përmes konferencave telefonike.
Vuçiç tha se ideja për krijimin e këtij ekipi vjen për shkak të mungesës së efikasitetit të mekanizmit të mëparshëm koordinues dhe theksoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane. Gjatë mbledhjes së Qeverisë, ai shprehu kritika ndaj punës së disa ministrave dhe drejtuesve të ndërmarrjeve publike, duke paralajmëruar edhe shkarkime të mundshme./kb
