Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka vlerësuar marrëdhëniet “e pathyeshme” mes Kinës dhe Pakistanit, gjatë një takimi në Pekin me kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif.
Gjatë bisedimeve, Xi theksoi se Kina dhe Pakistani kanë ndërtuar një “miqësi tradicionale të fortë” gjatë dekadave, duke e quajtur Sharif një “mik të vjetër” dhe duke vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve.
Në përgjigje, kryeministri pakistanez tha se Kina dhe Pakistani janë “vëllezër të hekurt”, duke e cilësuar marrëdhënien mes dy vendeve si një nga më të ngushtat në botë.
Takimi u zhvillua në kuadër të përvjetorit të 75-të të marrëdhënieve diplomatike mes Pekinit dhe Islamabadit, një moment që të dyja palët e kanë shfrytëzuar për të theksuar partneritetin strategjik.
Xi gjithashtu përmendi rolin e Pakistanit në përpjekjet diplomatike rajonale, përfshirë kontaktet me Iranin dhe përpjekjet për të lehtësuar dialogun në një periudhë tensionesh në Lindjen e Mesme.
Kryeministri pakistanez ishte i shoqëruar edhe nga shefi i ushtrisë Asim Munir, i cili ka zhvilluar më herët vizita në Teheran për bisedime me autoritetet iraniane.
Takimi në Pekin vjen në një moment kur Kina dhe Pakistani po kërkojnë të forcojnë më tej bashkëpunimin ekonomik dhe politik në rajon, përfshirë edhe nismat për stabilitetin në rrugët ndërkombëtare të energjisë./mxh
