Putini ka propozuar që të tre liderët të takohen për të diskutuar një rrugëdalje nga lufta në Ukrainë, të nisur nga vetë Rusia. Trump ka lënë të kuptohet se e mbështet idenë, pa përcaktuar një datë, duke sugjeruar se një takim i tillë mund të ishte i dobishëm nëse do të përfshinte edhe çështjen e çarmatimit bërthamor.
Por, sipas Maria Tadeos, kryeredaktore e Euronews për Evropën, një takim i tillë duhet parë me shqetësim. Për Putinin, ai mund të shndërrohet në një mundësi për të rikthyer statusin e Rusisë si fuqi e madhe dhe për të imponuar një rend të ri ndërkombëtar, të ngjashëm me atë që u krijua pas Luftës së Dytë Botërore.
Në vitin 1945, ndërsa lufta po i afrohej fundit, liderët e SHBA-së, Franklin D. Roosevelt, Britanisë së Madhe, Winston Churchill, dhe Bashkimit Sovjetik, Joseph Stalin, u takuan në Jaltë për të diskutuar organizimin e botës së pasluftës. Konferenca ndihmoi në përcaktimin e sferave të ndikimit në Evropë, ndërsa Bashkimi Sovjetik konsolidoi kontrollin mbi pjesën më të madhe të Evropës Lindore.
Churchill u largua nga takimi i zhgënjyer, pasi kuptoi se zgjerimi i ndikimit sovjetik do ta linte gjysmën e kontinentit nën kontrollin e Moskës. Polonia, shtetet baltike, pjesa më e madhe e Evropës Qendrore dhe disa vende të Ballkanit do të përballeshin me pasojat e kësaj ndarjeje. Ajo që pasoi ishte ndarja e Evropës nga Perdja e Hekurt dhe nisja e Luftës së Ftohtë.
Sot, historia duket se po rikthehet në një formë tjetër. Vetë Jalta ndodhet në Krime, territor që Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014.
Sipas Tadeos, një takim mes Trumpit, Putinit dhe Xi Jinpingut mund të krijojë kushtet për një ndarje të re të sferave të ndikimit, ku secili prej tre liderëve do të kërkonte të siguronte interesat e veta, ndërsa vendet e tjera do të përballeshin me pasojat e marrëveshjeve të arritura pa pjesëmarrjen e tyre.
Në qendër të diskutimeve mund të jenë Ukraina dhe Tajvani. Në një skenar të tillë, tri fuqitë mund të arrijnë një marrëveshje prapa dyerve të mbyllura, duke i lënë pjesës tjetër të botës pak mundësi për të kundërshtuar vendimet e tyre. Përfituesi kryesor, sipas analizës, do të ishte Putini.
Rusia mbetet një fuqi bërthamore, por ndikimi i saj ndërkombëtar nuk është më ai i Bashkimit Sovjetik. Putini, i cili e ka cilësuar shpërbërjen e tij si katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit për Rusinë, ka kërkuar vazhdimisht të rikthejë sferën e ndikimit që Moska humbi pas vitit 1991.
Një takim i nivelit të lartë me presidentët e SHBA-së dhe Kinës do t’i jepte Putinit mundësinë të paraqitej sërish si një nga aktorët kryesorë të rendit botëror. Nëse Trump do të merrte pjesë në një proces të tillë, ai mund t’i dhuronte udhëheqësit rus një fitore të rëndësishme strategjike, duke e rikthyer Moskën në qendër të vendimmarrjes ndërkombëtare.
Njëkohësisht, një marrëveshje e arritur pa aleatët evropianë do të rrezikonte të dëmtonte marrëdhëniet e SHBA-së me partnerët e saj tradicionalë. Pavarësisht qëndrimeve kritike të Trumpit ndaj aleatëve, partneritetet ndërkombëtare i kanë siguruar Uashingtonit ndikim politik, marrëveshje ekonomike dhe baza ushtarake që kanë rëndësi edhe për sigurinë amerikane.
Për këtë arsye, një Jaltë e re pa aleatët e SHBA-së do të rrezikonte të shënonte fundin e rendit perëndimor ashtu siç njihet sot.
Për Evropën, pasojat mund të jenë veçanërisht të rënda. Një marrëveshje për Ukrainën, e arritur pa pjesëmarrjen e Kievit dhe të vendeve evropiane, do të dobësonte marrëdhëniet transatlantike dhe do të vinte në pikëpyetje aftësinë parandaluese të NATO-s.
Edhe pse Brukseli këmbëngul se Evropa duhet të jetë pjesë e çdo zgjidhjeje, zhvillimet tregojnë se vendime të rëndësishme mund të merren pa ndikimin e saj të drejtpërdrejtë. Sipas Tadeos, Bashkimi Evropian duhet të hartojë urgjentisht planin e vet të paqes dhe të përcaktojë qartë se çfarë rezultati synon për Ukrainën dhe për sigurinë e kontinentit.
Kjo do ta detyronte Evropën të përballej edhe me çështje të vështira, përfshirë mundësinë që Ukraina të mos arrijë të rikthejë të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia dhe garancitë e sigurisë që do të nevojiteshin për të parandaluar një agresion të ri.
Nëse mbështetja amerikane do të kushtëzohej nga një angazhim më i madh evropian, vendet e BE-së mund të përballeshin edhe me kërkesën për të kontribuar me trupa në terren për të garantuar zbatimin e një marrëveshjeje paqeje. Një përgjegjësi e tillë, thekson analiza, nuk mund t’u lihet vetëm Francës dhe Britanisë së Madhe.
Një tjetër sfidë për Bashkimin Evropian është sigurimi i financimit afatgjatë për Ukrainën, në një kohë kur mbështetja politike për vazhdimin e ndihmës po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje. Kostoja e lartë e jetesës dhe pakënaqësia e qytetarëve po e bëjnë më të vështirë justifikimin e shpenzimeve të vazhdueshme për luftën.
Megjithatë, sipas Tadeos, liderët evropianë duhet t’u shpjegojnë më qartë qytetarëve se siguria e Ukrainës lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e vetë Evropës. Mbi 4 mijë kilometra të krahut lindor të kontinentit janë pjesë e kësaj sfide strategjike.
Arritja e një marrëveshjeje të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën nuk është vetëm çështje solidariteti me Kievin, por edhe interes i drejtpërdrejtë i vendeve evropiane. Një marrëveshje që do të shpërblente agresionin rus ose do të linte të pambrojtura vendet në kufijtë lindorë të Evropës mund të sillte pasoja afatgjata për të gjithë kontinentin.
Tadeo argumenton se Evropa nuk mund të mbështetet më vetëm te përpjekjet për të ndikuar në vendimet e Trumpit përmes kontakteve me rrethin e tij të afërt. Brukseli duhet të emërojë një të dërguar të posaçëm, me mandat të qartë politik, i cili të përfaqësojë interesat evropiane në negociata, të paraqesë një qëndrim të përbashkët dhe të raportojë mbi ecurinë e tyre.
Sipas saj, ky hap duhej të ishte ndërmarrë që një vit më parë. Pa një përfaqësues me autoritet politik dhe pa një strategji të qartë, Evropa rrezikon të mbetet spektatore në vendimet që përcaktojnë të ardhmen e saj.
Nëse Evropa nuk ulet në tryezën ku merren vendimet, ajo rrezikon të bëhet pjesë e pazarit që të tjerët po bëjnë për të.
