Yll Limani ka marrë një vendim të rëndësishëm për karrierën e tij. Këngëtari bën me dije përmes një njoftimi në rrjetet sociale se gjatë vitit 2026 nuk do të performojë në klubet e natës.
Ylli shkruan se ajo hapësirë e ka bërë të përjetojë kujtime dhe e ka fuqizuar muzikën e tij, por disa këngë kërkojnë tjetër fokus. Ai thotë se është momenti për përgatitjen e një takimi ndryshe që do të ndodhë së shpejti.
“Për shumë vjet, jemi takuar pothuajse çdo fundjavë në klube të ndryshme, kudo ku ka pasur njerëz që e duan muzikën time. Prania juaj, energjia, afërsia dhe dashuria që më keni dhënë, ma gëzojnë zemrën dhe jam pafundësisht falënderues. Tani, kam vendosur të ndalem pak. Në vitin 2026 nuk do të mbaj performanca në klube. Jo sepse po largohem nga muzika apo sepse klubet nuk janë pjesë e rëndësishme e historisë sime; klubet janë vendi ku muzika ime është rritur, ku kam kënduar bashkë me ju dhe ku kam kujtime të paharrueshme. Disa këngë nuk janë bërë për klube. Disa momente kërkojnë një hapësirë tjetër për t’u ndier ashtu siç duhet. Disa gjëra në jetë kërkojnë kohë. Fokus. Një frymëmarrje tjetër. Ky është thjesht një vendim për të krijuar hapësirë për diçka më të madhe. Për t’u përgatitur. Për t’u takuar ndryshe. Faleminderit për çdo natë që e kemi ndarë bashkë deri sot. Shihemi shumë shpejt, ashtu siç ju pëlqen. Ju dua”, përmbyll artisti./K.M

