Last Updated on 29/04/2026 by Anisa
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar me një mesazh të ndjerë pas ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Rustem Gjata.
Në reagimin e tij, Manjani e kujton Gjatën si një figurë të jashtëzakonshme të Fakultetit të Drejtësisë dhe një pedagog model, i cili ka lënë gjurmë të thella tek studentët dhe sistemi i drejtësisë në Shqipëri.
“Rustem Gjata ishte gjigandi i Fakultetit të Drejtësisë. Me një biçikletë 28-she vinte gjithnjë tek godina e universitetit, me hapa të gjatë dhe energjikë, duke qenë gjithmonë korrekt me orarin. Leksionet e tij ishin të qarta, të rrjedhshme dhe burimi kryesor i dijes në një kohë kur literatura ligjore mungonte,” shprehet ai.
Manjani thekson se profesori ishte jo vetëm një jurist i formuar, por edhe një komunikues i shkëlqyer, i cili nuk përtonte të qëndronte me studentët edhe pas leksioneve për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre.
Ai vlerëson gjithashtu kontributin e Gjatës në krijimin dhe drejtimin e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ai dhe kolegët e tij vendosën themelet e para të drejtësisë kushtetuese në vend.
Në fund të mesazhit, Manjani shpreh keqardhjen personale për mungesën e një takimi të fundit me të, duke nënvizuar rëndësinë e vlerësimit të njerëzve sa janë ende gjallë.
“Jam i keqardhur që nuk arrita ta pi një kafe me të. Mësim që, për fat të keq, nuk e mësojmë kurrë në kohë… Ngushëllime të sinqerta familjes së tij,” përfundon reagimi i Ylli Manjani.
