Last Updated on 15/07/2026 by Anisa
Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, komunikoi për mediat vendimet e miratuara.
Ajo u shpreh se qeveria miratoi në parim marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Poloninë, e cila e çon në 17 numrin e marrëveshjeve të nënshkruara në këtë fushë.
“Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sot kaloi një projektvendim, i cili është në fakt shumë i rëndësishëm. Është një miratim në parim i Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore me Republikën e Sllovenisë, e cila e çon numrin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Republika e Shqipërisë në 17, ku, bashkë me marrëveshjen që po firmosim me Slloveninë, janë 11 marrëveshje, të cilat janë firmosur me vende të Evropës.
Dua t’ju kujtoj këtu që kjo është një politikë që prej disa vitesh ka filluar dhe është intensifikuar nga ana e qeverisë shqiptare, pasi është thelbësore në mbrojtjen e të drejtave të punës dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe pagesave që çdo individ mund t’i marrë në të ardhmen, pasi ka kryer disa vite pune në Republikën e Shqipërisë dhe disa vite pune në një vend tjetër.
Ka qenë një problem i cili ndër vite është mbartur. Ne, siç e dini, gjatë vitit të kaluar kemi firmosur dhe ratifikuar marrëveshjen me Italinë, që është më e rëndësishmja, pasi numri i shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë në Itali është shumë i lartë.
Deri tani janë 20 mijë shqiptarë që kanë përfituar nga marrëveshjet që kemi firmosur për njohjen e viteve të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Ndaj jemi duke vazhduar me intensitet të lartë.
Janë katër marrëveshje të tjera që janë duke u negociuar dhe shumë shpejt do t’i sjellim në Këshillin e Ministrave, që do t’i sjellim për t’i miratuar dhe firmosur.“, u shpreh ajo.
Ndërsa ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se janë propozuar ndryshime për 3 ligje të sistemit financiar që synojnë modernizimin dhe përafrimin me legjislacionin e BE.
“Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam disa ndryshime të rëndësishme që prekin :
• Ligjin Për shërbimet e pagesave;
• Ligjin “Për sistemin e pagesave”;
• Si dhe ligjin ‘Për bankat në Republikën e Shqipërisë’.
Të treja projektligjet e propozuara i shërbejnë, jo vetëm modernizimit të mëtejshëm të sistemit financiar, por edhe përafrimit me direktivat përkatëse të Bashkimit Europian.
Nga ana tjetër, këto ndryshime sjellin përfitime konkrete edhe për qytetarët dhe biznesin, përmes :
• Reduktimit të kostove të shërbimeve financiare;
• Rritjes së sigurisë dhe efikasitetit të sistemit financiar;
• Forcimit të mbrojtjes së konsumatorëve;
• Nxitjes së konkurrencës dhe inovacionit në treg.
Ndaj, kjo paketë projektligjesh do të shërbejë, si për zhvillimin e tregut financiar, ashtu edhe për transformimin e mëtejshëm të ekonomisë”, tha Malaj./ad
