Arkeologët do të rikthehen në Ness of Brodgar në Orkney pas një zbulimi të jashtëzakonshëm, të bërë falë teknologjisë së avancuar 3D me radar nëntokësor (GPR). Ekipi i gërmimeve, i cili punoi në këtë sit të rëndësishëm neolitik për dy dekada deri në përfundimin zyrtar të punimeve në vitin 2024, thotë se objekti i ri i zbuluar është “krejtësisht ndryshe nga çdo gjë e gjetur më herët” dhe madje mund të mos jetë fare i periudhës neolitike.
Ness of Brodgar, një rrip toke mes dy liqeneve, ka zbuluar gjatë viteve 40 struktura të lashta që dëshmojnë se aty ekzistonte një vendbanim i rëndësishëm i mijëra viteve më parë. Por sondazhi i fundit, i kryer këtë verë me GPR, prodhoi imazhet e para tre-dimensionale të të gjithë sitit – dhe një surprizë të madhe.
Sipas arkeologut Nick Card, kreu i gërmimeve që prej vitit 2004, forma e re e zbuluar është “totalisht e pazakontë” dhe “mund të shtojë një kapitull të ri në historinë e Ness-it”. Ai thekson se objektet neolitike në këtë sit njihen për vijat e drejta dhe format drejtkëndëshe, ndërsa imazhet e reja sugjerojnë diçka që nuk i ngjan aspak atyre.
“Mos prisni ndërtesa tredimensionale neolitike,” u shpreh Card për BBC Radio Scotland. “Mund të jetë diçka më e vonshme, por nuk përjashtohet as mundësia të jetë bashkëkohore me ndërtimet e tjera.”
Zbulimi është bërë në një pjesë të sitit që nuk pritej të kishte arkeologji të thellë, çka do të thotë se gërmimet e reja do të jenë të kufizuara – një lloj “kirurgjie me çelës” siç e përshkruan vetë Card, me hapjen e vetëm një hende të vogël për të hetuar anomalinë.
Teknologjia e përdorur, një formë e re e GPR, është aplikuar për herë të parë në Skoci dhe ka dhënë rezultate mbresëlënëse. Tani ekipi po punon për analizimin e të dhënave dhe krijimin e modeleve 3D, që pritet të sjellin kuptim më të thellë mbi zhvillimin e sitit.
Ness of Brodgar, i cilësuar nga Trusti i sitit si “i pakrahasueshëm në Evropën Atlantike”, ndodhet pranë unazës së famshme të Brodgarit – një nga monumentet më të njohura megalitike të Britanisë, shpesh i krahasuar me Stonehenge.
Gërmimet e reja janë bërë të mundura falë financimit nga “Time Team”, që do të xhirojë një program të ri vitin e ardhshëm. Ndërkohë, ndërtesat e zbuluara më herët, të cilat u mbuluan për ruajtje pas vitit 2024, do të mbeten të mbyllura.
Punimet do të jenë të hapura për publikun gjatë katër javëve të korrikut 2026, duke sjellë sërish emocion për vizitorët që ndjekin një nga zbulimet më të habitshme arkeologjike të kohëve të fundit në Britani./mxh
