Last Updated on 14/09/2025 by adminfjala
Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov pas ndihmës së parë që ka marrë në Spitalin e Korçës, është nisur me helikopter drejt Tiranës për mjekim të specializuar, ku ka kryer ndërhyrje në zemër.
Me të mbërritur në kryeqytet, Ambasada ka vendosur që Shkëlqesia e Tij Volodymyr Shkurov të dërgohet në Spitalin Amerikan 3. Sipas këtij institucioni privat mjekësor, diplomati ukrainas është paraqitur në urgjencë dhe diagnostikimit me infarkt anterior të gjerë të miokardit.
“Pacienti iu nënshtrua me urgjencë Koronaroangiografisë dhe më pas ndërhyrjes PCI – Angioplastikë Koronare me vendosje stenti, e cila u realizua me sukses nga ekipi ynë i specializuar. Aktualisht pacienti po vijon trajtimin nën kujdes intensiv në Reanimacion.
Spitali Amerikan 3 falënderon për besimin dhe vlerëson përkushtimin e ekipit mjekësor të Kardiologjisë me ne krye Dr Bekim Jata, kardiologun intervencionues Dr Diamant Lulaj dhe Kardiologen, Dr Almenda Zaka, ekipin e Anestezi–Reanimacionit me ne krye Dr Gentian Huti dhe anestezist-reanimator Dr Amarildo Hidri , si dhe stafin infermieror të përfshirë në këtë trajtim”, thuhet në njoftim. m.p.
