Last Updated on 18/07/2026 by EL
Katër xhuxhë të bardhë, të padukshëm deri më sot, fshiheshin fare pranë Tokës, por drita e yjeve shoqërues ua kishte mbuluar plotësisht praninë. Njëri prej tyre është tashmë xhuxhi i bardhë i nëntë më i afërt me Diellin, megjithëse u deshën plot 27 vjet për ta zbuluar.
Për herë të parë, studiues nga Universiteti i Warwick-ut dhe Universiteti i Colorado Boulder kanë vëzhguar drejtpërdrejt katër xhuxhë të bardhë që rrotullohen në sisteme binare, të gjithë të vendosur brenda 65 viteve dritë nga Dielli. Njëri prej këtyre sistemeve strehon atë që tashmë konsiderohet zyrtarisht xhuxhi i bardhë i nëntë më i afërt me Sistemin Diellor.
Studimi është publikuar në revistën shkencore Monthly Notices of the Royal Astronomical Society (MNRAS).
Në të katër sistemet, shoqëruesi i xhuxhit të bardhë është një xhuxh i kuq, një yll më i madh dhe më i ndritshëm, i cili ka qenë në gjendje të fshehë plotësisht praninë e xhuxhit të bardhë, duke bërë që secili sistem të dukej si një yll i vetëm. Katër sistemet e reja të identifikuara – G 203-47, GJ 207.1, LHS 1817 dhe Wolf 1130 – u zbuluan pikërisht sepse secili prej xhuxhëve të kuq fshehte një shoqërues të panjohur deri më tani.
“Xhuxhët e bardhë të izoluar pranë nesh zakonisht janë të lehtë për t’u identifikuar, por nuk arritëm t’i vëzhgonim drejtpërdrejt këta katër yje në gjatësitë valore të dritës së dukshme, sepse drita e xhuxhëve të kuq i mbulonte plotësisht,” shpjegoi autorja kryesore e studimit, Mairi O’Brien, studiuese në Universitetin e Warwick-ut. “Shohim se edhe në lagjen tonë kozmike mund të ketë ende surpriza, nëse dimë të shohim në mënyrën dhe në gjatësitë valore të duhura.”
Lëkundja e yjeve zbuloi praninë e tyre
Astronomët kanë studiuar me dekada yjet pranë Sistemit Diellor, por xhuxhët e bardhë mbeten ndër objektet më të vështira për t’u zbuluar. I vetmi tregues që tradhtoi praninë e këtyre katër “yjeve të vdekur” ishte një lëkundje e lehtë e xhuxhëve të kuq, një lëvizje përpara dhe prapa e krahasueshme me lëkundjen e një perdeje nga era. Ky “dridhje” tregonte qartë se rreth tyre rrotullohej një objekt masiv i padukshëm. Për ta konfirmuar këtë, ekipi përdori të dhënat e spektrografit STIS në teleskopin hapësinor Hubble të NASA-s dhe ESA-s, i cili vëzhgon në rrezatimin ultravjollcë. Xhuxhët e bardhë janë zakonisht më të lehtë për t’u identifikuar në ultravjollcë, pasi janë rreth dy herë më të nxehtë se xhuxhët e kuq dhe për këtë arsye shumë më të ndritshëm në këtë pjesë të spektrit. Megjithatë, edhe këto vëzhgime nuk ishin të thjeshta, sepse shpërthimet intensive të xhuxhëve të kuq mund të prodhojnë sinjale shumë të ngjashme me ato të një xhuxhi të bardhë. Zç Për këtë arsye, studiuesit zhvilluan teknika të posaçme kalibrimi që u lejuan të dallonin me siguri sinjalet dhe të konfirmonin praninë e katër xhuxhëve të bardhë.
Rasti enigmatik i G 203-47
Mes katër sistemeve, më interesanti rezultoi G 203-47. Ai ndodhet vetëm 25 vite dritë larg Tokës, por u deshën plot 27 vjet nga vëzhgimi i parë i lëkundjes së tij radiale deri në identifikimin e xhuxhit të bardhë shoqërues. Sot ai njihet zyrtarisht si xhuxhi i bardhë i nëntë më i afërt me Diellin.
Ky sistem paraqet edhe një veçori të pazakontë. Xhuxhi i kuq rrotullohet rreth boshtit të tij një herë çdo 100 ditë, ndërsa rrotullohet rreth xhuxhit të bardhë çdo 14.9 ditë. Në kushte normale, forcat gravitacionale do të duhej t’i kishin sinkronizuar lëvizjet e dy yjeve, njësoj siç Hëna i tregon gjithmonë Tokës të njëjtën anë. Në rastin e G 203-47 kjo nuk ndodh, pasi xhuxhi i kuq rrotullohet shumë më ngadalë nga sa pritej. “Fakti që G 203-47 rrotullohet kaq ngadalë tregon se ky sistem nuk është formuar në të njëjtën mënyrë si sistemet e tjera të ngjashme,” tha bashkautori i studimit, David Wilson, nga Universiteti i Colorado Boulder.
Sipas tij, kjo sugjeron se sistemet binare kanë histori evolutive shumë të ndryshme. Disa kanë kaluar ndërveprime të dhunshme dhe afatgjata gjatë fazave të hershme të formimit, ndërsa të tjerë, si G 203-47, kanë përjetuar procese shumë më të buta, duke përfunduar në këtë konfigurim të pazakontë.
Mund të fshihen ende shumë të tjerë
Katër zbulimet e reja kanë lejuar përditësimin e regjistrit të xhuxhëve të bardhë që ndodhen brenda 20 parsekëve, ose rreth 65 vite dritë nga Dielli. Modelet teorike kishin parashikuar ekzistencën e rreth katër ose pesë sistemeve të përbëra nga një xhuxh i bardhë dhe një xhuxh i kuq në këtë rajon të hapësirës, ndërsa studiuesit arritën të identifikojnë katër prej tyre, një rezultat shumë pranë parashikimeve. Megjithatë, kërkimet nuk kanë përfunduar. Sipas profesorit Pier-Emmanuel Tremblay, vetëm rreth 30% e xhuxhëve të kuq brenda kësaj distance janë studiuar në mënyrë sistematike për të kërkuar shoqërues të fshehur. Studiuesit besojnë se në lagjen tonë kozmike mund të ekzistojnë edhe 9 ose 10 sisteme të tjera të ngjashme që ende nuk janë zbuluar. Nëse vëzhgimet përqendrohen më shumë te xhuxhët e kuq, astronomët mendojnë se mund të zbulohen surpriza të tjera. Zbulimi bëhet edhe më domethënës në një kohë kur teleskopi hapësinor James Webb është në gjendje të vëzhgojë galaktika që janë formuar pothuajse në agimin e Universit. Megjithatë, edhe pse njerëzimi arrin të shohë skajet më të largëta të kozmosit, vazhdon të zbulojë yje të rinj fare pranë “oborrit” tonë kozmik, duke dëshmuar se lagjja jonë galaktike ende nuk i ka zbuluar të gjitha sekretet e saj.
