Last Updated on 18/07/2026 by EL
Jens Spahn, kreu i grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestagun gjerman, ka njoftuar dorëheqjen nga posti i tij pas polemikave të forta për vendimin e tij për të pasur një fëmijë përmes një nëne surrogate në Shtetet e Bashkuara. Në një letër drejtuar anëtarëve të grupit parlamentar, Spahn bëri të ditur se kishte informuar më parë kancelarin gjerman dhe liderin e CDU-së, Friedrich Merz, si dhe kryetarin e CSU-së, Markus Söder, për vendimin e tij. “Kam njoftuar drejtuesit e CDU-së dhe CSU-së, Friedrich Merz dhe Markus Söder, se me këtë letër po largohem nga posti i kryetarit të grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag”, shkroi Spahn.
Politikani falënderoi Merz dhe Söder për besimin e treguar ndaj tij, por tha se lumturia e tij personale, krijimi i një familjeje me bashkëshortin dhe të qenit baba, nuk mund të pajtohej me detyrën e tij politike.
“Balancimi mes vendimit tim personal për të pasur një fëmijë përmes një nëne surrogate dhe pritshmërive të kuptueshme ndaj meje si drejtues i grupit tonë është bërë më i vështirë nga sa kisha parashikuar”, u shpreh ai.
Pas dorëheqjes, kancelari Friedrich Merz e cilësoi vendimin si “të drejtë” dhe “të pashmangshëm”. “Besueshmëria është pasuria më e madhe në politikë”, deklaroi Merz.
Sipas mediave gjermane, Merz kishte kërkuar pak para njoftimit zyrtar që Spahn të largohej nga posti. Ai thuhet se kishte zhvilluar konsultime me drejtues të degëve rajonale të CDU-së, ndërsa brenda partisë mbështetja për Spahn ishte dobësuar ndjeshëm.
Dega lokale e CDU-së në Brilon, qyteti i lindjes së kancelarit Merz, kishte kërkuar më herët dorëheqjen e Spahn përmes një letre publike. Sipas saj, vendimi për të përdorur një nënë surrogate jashtë vendit binte ndesh me ligjin gjerman dhe qëndrimin tradicional të CDU-së kundër surrogacisë.
“Një përfaqësues i lartë i partisë që përdor jashtë vendit mundësi që bien ndesh me vlerësimet ligjore të Gjermanisë dërgon një sinjal katastrofik”, thuhej në letër.
Kritika ndaj Spahn erdhën edhe nga figura të tjera të CDU-së. Politikani Wolfgang Bosbach tha se shpresonte që Spahn të shmangte një debat të gjatë brenda partisë mbi aftësinë e tij për të vazhduar drejtimin e grupit parlamentar.
Çështja ka shkaktuar reagime edhe nga udhëheqës fetarë. Peshkopi protestant i Württembergut, Ernst-Wilhelm Gohl, akuzoi për standarde të dyfishta, duke theksuar se një politikan që përdor një mundësi të ndaluar në Gjermani, por të lejuar jashtë saj, përballet me një problem besueshmërie.
Edhe peshkopi katolik i Passaut, Stefan Oster, kritikoi vendimin e Spahn, duke e cilësuar skandal faktin që një politikan i lartë i CDU-së përdori surrogacinë jashtë vendit, ndërsa partia e tij kundërshton legalizimin e saj në Gjermani.
Debati nisi pasi Spahn dhe bashkëshorti i tij, Daniel Funke, njoftuan se ishin bërë prindër përmes një nëne surrogate në SHBA. Në Gjermani surrogacia është e ndaluar dhe CDU ka mbajtur prej vitesh qëndrim kundër legalizimit të saj.
Kritikët e akuzojnë Spahn për mospërputhje mes qëndrimeve të tij politike dhe zgjedhjes personale, duke argumentuar se ai përfitoi nga një mundësi jashtë vendit që nuk dëshiron t’u ofrohet njerëzve në Gjermani.
