Last Updated on 15/06/2026 by EL
Arkeologët kanë zbuluar në jug të Uzbekistanit varrin e dy fëmijëve të moshës rreth 3 dhe 5 vjeç, të varrosur pranë njëri-tjetrit rreth 4.000 vjet më parë. Ajo që e bën zbulimin të jashtëzakonshëm është kafka e fëmijës më të madh, ku janë identifikuar shenja të një ndërhyrjeje kirurgjikale në kokë, e njohur si trepanim. Zbulimi u bë në sitin arkeologjik të Djarkutanit, një nga qendrat më të rëndësishme të qytetërimit të lashtë të Oksusit. Sipas studiuesve, kjo përbën dëshminë më të hershme të dokumentuar të kirurgjisë kraniale në të gjithë Azinë Qendrore. Trepanimi ishte një praktikë mjekësore e njohur në shumë qytetërime të lashta dhe përdorej për trajtimin e traumave në kokë, epilepsisë, dhimbjeve të forta të kokës apo çrregullimeve të tjera. Megjithatë, në komunitetet e Epokës së Bronzit kufiri mes mjekësisë dhe ritualeve fetare ishte shpesh i paqartë. Për këtë arsye, studiuesit mendojnë se ndërhyrja mund të ketë pasur njëkohësisht qëllim shërues dhe ritual. Fakti që procedura është kryer mbi një fëmijë kaq të vogël ka habitur ekspertët. Ata po përpiqen të kuptojnë se kush zotëronte njohuritë anatomike për të realizuar një operacion kaq delikat dhe pse u vendos të ndërhyhej te një fëmijë pesëvjeçar. Analizat tregojnë se heqja e një pjese të kockës së kafkës kërkonte njohuri të avancuara anatomike, teknikë kirurgjikale të zhvilluar dhe ndoshta edhe kujdes pas operacionit. Djarkutani ishte një qytet i zhvilluar i qytetërimit të Oksusit, me arkitekturë monumentale, qeramikë cilësore dhe praktikë mjekësore më të sofistikuar sesa mendohej më parë. Studiuesit shpresojnë që analizat paleogjenetike dhe antropologjike të japin përgjigje mbi jetën, besimet dhe njohuritë mjekësore të kësaj shoqërie të lashtë të Epokës së Bronzit./et
