Last Updated on 07/10/2026 by EL
Simon Andriesz, ish-drejtuesi i lartë financiar në Mbretërinë e Bashkuar dhe denoncuesi që nxori në dritë lidhjet e biznesit mes Sekretarit amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick, dhe pedofilit të dënuar Jeffrey Epstein, është gjetur pa jetë në Tajlandë.
Sipas deklaratës së familjes dhe raportimeve të BBC-së, 57-vjeçari i dha fund jetës më 23 shtator. Policia vendase bëri me dije se në vendngjarje nuk u gjetën shenja të ndonjë vepre kriminale.
Kjo tragjedi ka rikthyer sërish në vëmendje dosjen e nxehtë të Epstein-it dhe përplasjet e fortë prapaskenave në politikën dhe financat ndërkombëtare.
Zbulimet e dosjes dhe përplasja me gjigantin financiar
Simon Andriesz kishte shërbyer për vite me radhë si drejtues në kompaninë e njohur të ndërmjetësimit financiar BGC Partners, e themeluar nga vetë Lutnick përpara se ky i fundit të merrte postin zyrtar në administratën amerikane.
Gjatë kohës që punonte aty, Andriesz mblodhi dokumente sekrete që hidhnin dyshime mbi deklaratat publike të Sekretarit të Tregtisë lidhur me kohën kur kishte ndërprerë marrëdhëniet me Epstein. Përveç kësaj, në dosjen e tij përfshiheshin edhe prova për përpjekjet e Lutnick-ut për të lidhur marrëveshje biznesi me Princin Andrew në vitin 2013 — një projekt që më pas dështoi.
Gjatë këtij viti, sinjalizuesi britanik ia kaloi të gjitha këto të dhëna Autoritetit të Sjelljes Financiare në Britani (FCA), FBI-së në SHBA dhe disa agjencive të tjera ligjzbatuese, duke denoncuar edhe shpërdorimin e fondeve të bonuseve për punonjësit — akuza që kompania i ka mohuar vazhdimisht.
“Më futën në një ferr të vërtetë”
Përpara se të ndërmerrte aktin fatal, Andriesz kishte ngritur alarmin publikisht për presionin e egër psikologjik dhe profesional që po ushtrohej ndaj tij. Në një intervistë për BBC-në, ai pat deklaruar se ndodhej nën një “stres të papërballueshëm”, megjithëse insistonte se nuk do të hiqte dorë: “Kërkimi i drejtësisë është në ADN-në time”.
Mirëpo, gjatë një takimi të fundit me deputetë dhe aktivistë britanikë, ai nuk e fshehu zhgënjimin e thellë nga organizmat rregullatorë, duke u shprehur se institucionet që duhej ta mbronin e kishin kaluar “në një ferr të vërtetë”.
Parlamenti britanik kërkon hetim të pavarur
Njoftimi për vdekjen e tij ka nxitur reagime të ashpra në Londër. Një grup deputetësh nga të gjitha krahët politikë kanë kërkuar nisjen e menjëhershme të një hetimi të pavarur për të verifikuar mënyrën se si rregullatori financiar e trajtoi denoncuesin.
Deputeti laburist John McDonnell e cilësoi ngjarjen si një “tragjedi të thellë që mund të ishte parandaluar”, duke nëvizuar se nëse sinjalizuesit e krimeve financiare nuk mbrohen me ligj, atëherë i gjithë sistemi i kontrollit do të dështojë.
Pas presioneve të shumta, Autoriteti i Sjelljes Financiare (FCA) njoftoi se do të nisë një rishikim të brendshëm të të gjithë praktikës që u ndoq me Andriesz. Ky hetim do të drejtohet nga Lea Paterson, ish-guvernatore e Bankës së Anglisë./ET
