Last Updated on 10/04/2026 by Anisa
Pas vendimit të gjykatës për zbutjen e dënimit për autorin e vrasjes së oficerit të policisë në Fier, Novruz Cenalia, Besfort Lamallari ka bërë një reagim duke e cilësuar këtë vendim si një akt me pasoja të rrezikshme.
Pas vendimit të gjykatës për zbutjen e dënimit për autorin e vrasjes së oficerit të policisë në Fier, Novruz Cenalia, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ka bërë një reagim duke e cilësuar këtë vendim si një akt me pasoja të rrezikshme, që cenon jo vetëm emrin dhe sakrificat e punonjësve të policisë, si dhe kërcënon rendin ligjor dhe vetë shtetin.
Ministri nënvizon se megjithëse nuk është njohur me arsyetimin e plotë të trupës gjyqësore, masa e dhënë, e cila është tejet e butë në raport me krimin e kryer, “është thellësisht shqetësuese”.
“Vendimi për zbutjen e dënimit ndaj autorit të vrasjes së një punonjësi të Policisë së Shtetit është thellësisht shqetësues. Edhe pse nuk jemi njohur ende me arsyetimin e plotë, vrasja e efektivit të ‘Shqiponjave’ Novruz Cenalia ishte një sulm i hapur ndaj vetë shtetit dhe rendit ligjor. Një akt i tillë nuk lëndon vetëm familjen e të ndjerit dhe dekurajon kolegët në uniformë, por rrezikon të japë një mesazh të gabuar për këdo që guxon t’i kundërvihet ligjit dhe shtetit të së drejtës. Respektojmë pavarësinë e gjyqësorit, por presim që drejtësia të jetë e fortë dhe në lartësinë e përgjegjësisë që ka ndaj qytetarëve dhe ndaj atyre që mbrojnë rendin çdo ditë”, shprehet Llamallari.
Kur ndodhi ngjarja?
Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz të Fierit. Sipas dosjes hetimore, gjithçka nisi si një konflikt banal. Azgan Mërnica po drejtonte automjetin e tij me shpejtësi të lartë në një kthesë të rrezikshme, kur u ndalua nga efektivi Novruz Cenalia, i cili i tërhoqi vëmendjen për mënyrën e rrezikshme të ngarjes, teksa ishte në detyrë.
Sipas Prokurorisë, pas një debati të ashpër verbal, Mërnica ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar për vdekje efektivin me plumb në kokë. Pas ngjarjes, i akuzuari u kap nga forcat e rendit pas një operacioni 48 orësh dhe negociatash me familjarët e tij.
