Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, së bashku me Zonjën e Parë Olena Zelenska, përkujtuan në Kiev viktimat e protestave të Maidanit, në një ceremoni solemne të mbajtur më 20 shkurt.
Në shkurt të vitit 2014, mbi 100 protestues u vranë gjatë trazirave të njohura si kryengritja e Maidanit, e cila çoi në rrëzimin e presidentit pro-rus të asaj kohe, Viktor Yanukovych. Viktimat njihen sot si “Njëqindëshi Qiellor”.
Zelenskyy, bashkëshortja e tij dhe diplomatë të huaj vendosën qirinj pranë memorialit kushtuar “Njëqindëshit Qiellor” dhe mbajtën një minutë heshtje në nderim të tyre.
Ndërkohë, zhvillimet politike që pasuan ngjarjet e vitit 2014 vijojnë të kenë jehonë. Në vitin 2022, një gjykatë ukrainase urdhëroi arrestimin në mungesë të Yanukovych, duke e akuzuar për tradhti për shkak të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2010 me Rusinë, e njohur si Kharkiv Pact. Marrëveshja i lejonte Rusisë të zgjaste qëndrimin e Flotës së Detit të Zi në portin e Sevastopolit, në Krime.
Më herët, ish-presidenti ishte dënuar me 13 vite burg në mungesë për tradhti, lidhur me një letër të dërguar presidentit rus Vladimir Putin më 1 mars 2014, ku kërkonte përdorimin e forcave ushtarake ruse për të rikthyer rendin në Ukrainë pas protestave masive.
Ngjarjet e Maidanit konsiderohen një pikë kthese në historinë moderne të Ukrainës, ndërsa tensionet me Rusinë kulmuan me pushtimin e nisur më 24 shkurt 2022, në atë që Moska e cilëson si “operacion special ushtarak”./MXH
