Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur se aleatët evropianë nuk i kanë dhënë garanci të forta se do ta mbrojnë Ukrainën në rast të një agresioni të ri rus.
“Po ua bëj këtë pyetje të gjithë partnerëve tanë dhe ende nuk kam marrë një përgjigje të qartë dhe të padiskutueshme”, u tha Zelensky gazetarëve ditën e sotme.
Komentet e tij vijnë një ditë pasi Mbretëria e Bashkuar dhe Franca nënshkruan një deklaratë qëllimi për të vendosur trupa në Ukrainë nëse arrihet një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Por garancitë e plota të sigurisë nuk janë rënë dakord. SHBA-të, të cilat kanë udhëhequr përpjekjet për t’i dhënë fund pushtimit, thuhet se nuk e kanë nënshkruar një premtim të tillë në bisedimet në Paris të martën.
Pas bisedimeve të Parisit, të cilat përfshinin rreth 30 vende që formojnë të ashtuquajturin Koalicion të të Vullnetshmëve, Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, tha se Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të krijojnë qendra ushtarake në të gjithë Ukrainën për të penguar pushtimin e ardhshëm, ndërsa Presidenti francez Emmanuel Macron më vonë tha se mijëra trupa mund të vendosen.
Aleatët propozuan që SHBA-të të merrnin drejtimin në monitorimin e një armëpushimi. Por çështja kryesore e lëshimeve territoriale që Ukrainës po i kërkohet t’i japë Rusisë si pjesë e propozimeve të paqes është ende duke u diskutuar.
Moska ende nuk ka komentuar mbi njoftimin e bërë në kryeqytetin francez. Presidenti rus Vladimir Putin nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, dhe Moska aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas./K.M
