Last Updated on 17/12/2024 by adminfjala
Pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 11 maj të 2025.
Në lidhje me këtë çështje, e ngarkuara me punë Nancy VanHorn ka bërë thirrje që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në një proces politik që është i barabartë për të gjithë.
Në deklaratën e saj të publikuar nga ambasada amerikane në Tiranë, thuhet se nuk do të ketë angazhime me individë të përcaktuar për përfshirje në korrupsion madhor.
“Një opozitë e shëndetshme është pjesë me rëndësi kritike e një demokracie të gjallë. I vlerësoj mundësitë që kam pasur muajt e fundit për t’u takuar me përfaqësues të ndryshëm të opozitës për të dëgjuar një larmi këndvështrimesh mbi sfidat me të cilat përballet populli shqiptar, shqetësimet për mjedisin e ardhshëm zgjedhor dhe se si Shqipëria mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë.
Nxis të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në një proces politik që është i barabartë për të gjithë. Ne i qëndrojmë pozicionit tonë të kahershëm se nuk angazhohemi me individë të përcaktuar për përfshirje në korrupsion madhor”, thuhet në një deklaratë nga e ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, e publikuar nga ambasada amerikane në Tiranë./ S,M