Mette Frederiksen shkon drejt zgjedhjeve të përgjithshme më 24 mars duke u mbështetur te qëndrimi i saj i fortë mbi Greenland, duke sfiduar Donald Trump. Megjithatë, bindja e zgjedhësve për t’i dhënë asaj një mandat të tretë duket më e vështirë.
Frederiksen, 48 vjeç, e cila ka udhëhequr Social Democrats që nga viti 2015 dhe u bë kryeministrja më e re në historinë e Danimarkës katër vjet më pas, ka ndërtuar karrierën e saj mbi mbrojtjen e kontrollit të vendit mbi mirëqenien sociale, punësimin dhe kufijtë, duke kundërshtuar integrimin më të thellë në Bashkimin Evropian.
Kriza e kostos së jetesës dhe humbjet historike në zgjedhjet lokale në nëntor kanë dobësuar mbështetjen për Social Demokratët, e cila ra në 17% në sondazhet e dhjetorit, por ka rifituar terren në javët e fundit, duke arritur rreth 22%, pjesërisht falë qëndrimit të saj të vendosur në çështjen e Grenlandës.
Frederiksen është përballur me disa sfida të mëdha gjatë mandatit të saj, përfshirë pandeminë Covid-19 dhe vendimin kontrovers për të shfarosur të gjithë popullsinë e minkëve në vitin 2020, një vendim që më pas u konsiderua ligjërisht i papërshtatshëm. Gjithashtu, vendimi për të hequr një festë publike për të financuar shpenzimet e mbrojtjes ka shkaktuar pakënaqësi mes punëtorëve.
Përveç krizave brenda vendit, Frederiksen ka menaxhuar sfida ndërkombëtare si pushtimi i Ukrainës nga Rusia, sulmet me dron, sabotimi i tubacioneve Nord Stream dhe konfrontimi me Uashingtonin mbi Grenlandën, duke rritur profilin e saj ndërkombëtar, por duke krijuar dyshime për fokusin e saj tek problemet e brendshme.
Zgjedhjet e 24 marsit do të jenë një test për popullaritetin e një lideri që ka përballuar një seri të jashtëzakonshme krizash dhe që kërkon të sigurojë besimin e qytetarëve për një mandat të tretë./mxh
