Last Updated on 30/09/2026 by EL
Një zjarr ka rënë pranë një biznesi për riparimin e automjeteve në autostradën Fier-Lushnje, në afërsi të zonës së njohur si “Pushimi i Shoferit”.
Flakët janë evidentuar fillimisht nga punonjësit e servisit, të cilët kanë njoftuar menjëherë shërbimin zjarrfikës. Zjarri ka përfshirë fillimisht një sipërfaqe me bar të thatë në pjesën e pasme të servisit dhe më pas është përhapur me shpejtësi drejt ullishteve që ndodhen në të dyja anët e zonës.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse është bërë e mundur vënia nën kontroll dhe shuarja e flakëve, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Nga zjarri janë djegur disa rrënjë ullinjsh, si dhe mbetje plastike automjetesh që ndodheshin në pjesën e pasme të servisit.
Në vendngjarje kanë mbërritur gjithashtu forcat e Policisë së Shtetit, të cilat së bashku me zjarrfikësit kanë punuar për normalizimin e situatës.
Nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa pritet të përcaktohen edhe shkaqet e rënies së zjarrit./et
