Ministria e Mbrojtjes ka publikuar të dhënat mbi zjarret në vend përgjatë 24 orëve të fundit.
Sipas të dhënave, vatrat aktive janë të përqendruara në qarqet Tiranë dhe Dibër. Në Malin e Dajtit vijon puna pas riaktivizimit të tre vatrave, me angazhimin e 25 forcave zjarrfikëse/AZM dhe 20 efektivëve të FA-së.
Në qarkun Dibër aktive mbeten vatrat në Qafë të Helmës, Vajkal, Sllatinë dhe Komsi. Në Vajkal janë aktualisht të angazhuara 61 forca, përfshirë 30 efektivë të FA-së, ndërsa në Sllatinë operojnë 78 forca; në Komsi janë angazhuar edhe 25 efektivë të FA-së. Sipas raportimit, nuk ka rrezik për zonat e banuara në këto vatra.
Në Elbasan, vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Gjatë ditës së djeshme pati ndërhyrje të konsiderueshme edhe në Tërbaç, Vranisht të Himarës, ku u angazhuan forca tokësore, 2 helikopterë dhe 1 AIR TRACTOR, si dhe në Xhyrë të Librazhdit, ku ndërhyri edhe 1 helikopter i FA-së; të dyja vatrat janë deklaruar të fikura./kb
