Një zjarr i madh pyjor, që ka përfshirë një rezervat natyror në lindje të Holandës, vijon të jetë jashtë kontrollit, megjithëse autoritetet thanë se situata është stabilizuar pasi flakët u përhapën gjatë orëve të para të mëngjesit.
Rreth 250 zjarrfikës dhe helikopterë ushtarakë për shuarjen e zjarreve, janë angazhuar në operacion, njoftuan autoritetet e sigurisë.
Deri tani, zjarri ka përfshirë rreth 100 hektarë tokë. Një zëdhënës i autoriteteve tha se përpjekjet janë përqendruar në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
Zjarri shpërtheu dje në rezervatin natyror “De Rosmolen”, pranë kufirit me Gjermaninë, për shkaqe që ende nuk janë përcaktuar.
Erërat dhe temperaturat e larta, bënë që flakët të përhapeshin me shpejtësi në majat e pemëve.
Qindra zjarrfikës luftuan me flakët gjatë gjithë natës. Banorëve të zonës u është kërkuar të mbajnë të mbyllura dritaret dhe dyert për shkak të tymit të dendur.
Përkohësisht u pezullua edhe qarkullimi hekurudhor mes Boxmeer dhe Venray.
Era e fortë e tymit është përhapur edhe në anën gjermane të kufirit, duke shqetësuar banorët e distriktit Kleve, sipas shërbimit lokal zjarrfikës.
Autoritetet gjermane thanë se ndikimi i tymit ndryshon në varësi të drejtimit dhe shpejtësisë së erës, por theksuan se nuk ka rrezik për popullsinë.
Deri më tani, shërbimi zjarrfikës i Holandës nuk ka kërkuar ndihmë shtesë, por zjarrfikësit në Kleve janë në gatishmëri për të ndërhyrë nëse do të jetë e nevojshme.
Si masë paraprake, edhe banorëve të Kleves u është rekomanduar të mbajnë të mbyllura dritaret dhe dyert./mxh
