Last Updated on 17/11/2026 by EL
Thoma Gëllçi
-Satirë-
Lajme shqetësuese vijnë nga Nju Jorku. Kryebashkiaku Zohran Mamdani ka vendosur të shpërndajë njësinë speciale të policisë, Strategic Response Group (SRG), e cila përdorej edhe për kontrollin e protestave. Një njësi e policisë së Nju Jorkut me skafandra, mburoja, gaz lotsjellës dhe gjithçka tjetër që i duhet një shteti për t’u marrë me qytetarët e vet nuk do të ekzistojë më.
Mamdani mendon se protestuesit nuk duhen trajtuar si terroristë. Kërkon më pak forcë, më shumë komunikim dhe jo gaz lotsjellës. Po kjo është skandaloze! A nuk e kupton ai që protestuesit mund të jenë paguar nga Irani apo fuqi të tjera të huaja që duan të dëmtojnë turizmin në Nju Jork?
Zoti e ruajtë Nju Jorkun!
Për fat të mirë, Mamdani mund të mësojë nga Tirana. Këtu kemi vite përvojë në menaxhimin e protestave. Sapo qytetarët dalin në shesh, shteti u dërgon qindra policë, forca speciale, autoblinda, makina me ujë me presion dhe, natyrisht, gaz lotsjellës. Ndonjëherë edhe RENEA-n, që zakonisht merret me kriminelë të rrezikshëm.
Në Tiranë, siguria e protestuesve merret aq seriozisht, sa është e vështirë të dallosh se kush po ruhet nga kush.
Gazi lotsjellës është një histori më vete. Në vende të tjera përdoret si mjet i fundit. Në Tiranë kemi ecur përpara. E përdorim si zgjidhje të parë. Kështu kursejmë kohë, shmangim negociatat dhe nuk lodhemi me hollësi.
Për më tepër, gazi ka një cilësi të rrallë demokratike: nuk bën dallime. E thith ai që hedh gurë, ai që mban pankartë, gazetari që filmon dhe kalimtari që ka dalë të blejë bukë.
Barazi e plotë përpara ligjit!
Natyrisht, në protesta ka pasur edhe dhunë. Janë hedhur gurë dhe bomba Molotov. Policia duhet të ndërhyjë ndaj atyre që i hedhin. Por përvoja shqiptare ofron një zgjidhje më praktike: kur nuk e gjen dot fajtorin, shpërndan gjithë turmën. Kështu kursen edhe mundimin e identifikimit.
Edhe RENEA ka vlerën e vet edukative. Qytetari që del të kërkojë dorëheqjen e qeverisë duhet të kuptojë se kërkesa e tij është marrë seriozisht. Dhe çfarë mund ta bindë më mirë sesa një polic i armatosur deri në dhëmbë?
Për t’ia shpjeguar këto Mamdanit, kemi edhe njeriun e duhur: ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, emri i të cilit po përmendet si kandidat i mundshëm për kryetar të Bashkisë së Tiranës.
Një kombinim mjaft praktik. Kryetari i bashkisë merret me sheshet, ministri i Brendshëm me njerëzit që mblidhen në to.
Nëse bëhet kryebashkiak, Demo mund ta pasurojë programin me disa shërbime të reja. Krahas pastrimit, ndriçimit dhe gjelbërimit, mund të shtojë edhe ajrosjen e shesheve dhe vrasjen e parazitëve me gaz helmues. Kështu kthehet Tirana në qytetin me ajrin më të pastër në botë.
Por duhet të jemi të drejtë me Mamdanin. Nju Jorku nuk kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Nuk ka kapituj për të mbyllur, as raporte progresi nga Brukseli. Prandaj mund t’ia lejojë vetes luksin e eksperimenteve me të drejtat e protestuesve.
Tirana është në një situatë tjetër. Shqipëria është në fazën e avancuar të negociatave për anëtarësim. Nuk ka kohë për eksperimente. Duhet të tregojë se shteti funksionon.
Dhe çfarë prove më të mirë për funksionimin e shtetit sesa një bulevard i mbushur me policë, autoblinda dhe gaz lotsjellës?
Europa kërkon standarde. Ne i marrim seriozisht. Nëse duhet gaz, të ketë gaz. Nëse duhet RENEA, të vijë RENEA. Nëse protestuesit nuk shpërndahen, të shtohet doza e integrimit europian.
Prandaj Mamdani duhet të vijë në Tiranë për një vizitë studimore. Të mësojë si vendosen kordonët, si rreshtohen forcat speciale dhe si shpërndahet një protestë pa humbur kohë me bisedime.
Në fund mund t’i japim edhe një certifikatë për njohjen e praktikave më të mira europiane.
Sepse në Nju Jork po përpiqen të ndryshojnë policinë që të mos përdorë forcë ndaj protestuesve pa qenë nevoja.
Në Tiranë kemi vite që përpiqemi të ndryshojmë protestuesit, që të mos e detyrojnë policinë të përdorë forcën.
Dy mënyra të ndryshme për të zgjidhur të njëjtin problem.
Por Nju Jorku nuk ka ambicie europiane. Tirana është pothuajse në Europë.
Zoti e ruajtë Nju Jorkun!
