Last Updated on 17/10/2026 by Anisa
Shkruan avokati Dorian Matlija
Në deklaratën e kësaj mbrëmjeje të 16 tetorit, Avokati i Popullit na njoftoi se ka konstatuar 26 persona me shenja të dukshme dhune, të mitur të marrë në pyetje në kundërshtim me ligjin, ankesa për policë civilë pa identifikim dhe dëshmi për 12 të mitur të izoluar në një ministri.
Konstatime serioze këto. Por çfarë ka bërë përtej konstatimit? Z. Shabani u kujdes të na shpjegonte se Kushtetuta nuk i jep kompetencë të ndëshkojë policët. E vërtetë. Por kush ia kërkoi këtë?
Kushtetuta dhe ligji i japin kompetenca të nisë hetime me iniciativën e vet, të kërkojë çdo dokument, të kryejë apo kërkojë ekspertiza, t’i rekomandojë prokurorisë fillimin e hetimeve penale, të propozojë shkarkimin e funksionarëve përgjegjës për shkelje të rënda dhe të kërkojë vetë të dëgjohet në seancë plenare në Kuvend.
Një Avokat i Popullit që do t’i përdorte me zell këto kompetenca, do të kërkonte menjëherë pamjet filmike, edhe kamerat e trupit te policëve, kamerat e komisariateve, apo kamera të tjera publike apo biznesesh, identifikimin e të githë policëve të përfshirë në dhunë, ekspertimin mjekoligjor urgjent të të dhunuarve, dokumentet mbi llojin dhe sasinë e gazit lotsjellës, llojin e shkopinjve të gomës të përdorur, përbërjen e ujit të autobotëve, urdhrat operacionalë deri në detaj, përfshirë edhe dokumentacionin e klasifikuar si sekret shtetëror (se edhe këtë ia njeh ligji), kur është i nevojshëm për hetimin, si dhe ligjshmërinë e secilit shoqërim të çdo shtetasi. Do të kërkonte ruajtjen e provave, do të verifikonte rast pas rasti dhe do t’i referonte organit të akuzës dyshimet për vepra penale. Do të kërkonte llogari nga drejtuesit e policisë dhe, nëse ishte e nevojshme, edhe para Kuvendit, sepse këto kompetenca ia njeh ligji.
Por deklarata nuk na thotë nëse ka bërë ose ka ndër mend të bëjë ndonjërën prej këtyre.
Madje, për dhunën më të rëndë të raportuar, nuk dëgjuam as gjuhën që do të prisnim nga një institucion i mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Për të riun që raportohet se pësoi dëmtim të rëndë në vertebër dhe rrezikoi thyerjen e këmbës. Për protestuesin që, sipas pamjeve tërhiqej zvarrë me këmbën e thyer. Për atë tjetrin te Piramida, që u godit në mënyrë shtazarake nga disa policë njëkohësisht ndërsa ishte i shtrirë përtokë, e shumë të tjerë.
Avokati i Popullit mund të thoshte që sonte që dhuna ndaj një njeriu të neutralizuar është e papranueshme dhe e dënueshme sipas lijgit, se raste të tilla kërkojnë hetim urgjent dhe se askush nuk mund të fshihet pas uniformës. Avokati i Popullit mund t’u jepte që sonte një mesazh të qartë shtazëve me uniformë, që nëse ushtroni dhunë të paligjshme ndaj qytetarëve, nuk ju mbron uniforma, nuk ju mbron shefi dhe mund t’ju presë burgu. Për aktet e këtyre ditëve duhet të ketë hetime dhe përgjegjësi penale, kurdo dhe kudo që ajo provohet. Ky mesazh, të paktën, do zbythte ca shkelma e gaz ditët në vijim.
Në vend të kësaj, z. Shabani gjeti vend të dënonte edhe dhunën e protestuesve ndaj policisë.
Sigurisht që dhuna ndaj policëve është e dënueshme. Por për këtë kujdesen Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria. Policia ka gjithë aparatin shtetëror në dispozicion. Madje, në deklaratat e saj nuk tregon të njëjtin zell për të dënuar dhunën që ushtrojnë punonjësit e saj ndaj qytetarëve.
Avokati i Popullit nuk është arbitër mes policisë dhe protestuesve. Është institucion kushtetues i krijuar për të mbrojtur individin nga abuzimi i pushtetit shtetëror. Nuk duhet të jetë politikisht i njëanshëm, por misioni i tij kushtetues është i qartë. Ai duhet të qëndrojë në mbrojtje të individit përballë pushtetit, dhe këtu po, ka detyrë të jetë i njëanshëm në krah të popullit dhe jo autoriteteve.
Dhe pikërisht këtu qëndron problemi më i madh i deklaratës së sotme.
Shoqëria shqiptare po zien sepse qytetarët po humbasin çdo minut besimin se problemet mund të zgjidhen përmes institucioneve. Parlamenti nuk kontrollon qeverinë dhe deputetët janë thjesht zara në qesen e një psikopati, drejtësia ka vdekur klinikisht sepse vonon me dekada, mekanizmat e kontrollit të institucioneve të pavarura dhe agjencive shtetërore nuk japin asnjë rezultat sepse të gjithë kanë frikë ose mpleksje interesash. Njëra pas tjetrës, valvulat demokratike të shkarkimit të tensionit janë bllokuar. Prandaj njerëzit dalin në rrugë dhe revolta shpërthen.
Avokati i Popullit duhet të jetë një nga këto valvula. Jo një tjetër institucion që shton presionin duke krijuar iluzionin se po funksionon.
Këto ditë, shumë avokatë privatë po merren me dokumentimin e dhunës, ndihmën ndaj të ndaluarve, sigurimin e provave dhe kërkimin e përgjegjësisë së policëve. Nuk përtojmë ta bëjmë këtë punë. Është edhe detyra jonë profesionale. Por një pjesë të saj po e bëjmë edhe sepse nuk kemi besim se institucionet që duhet të veprojnë me iniciativën e tyre do ta bëjnë këtë me efektivitet.
Mund të mësohemi edhe me këtë realitet. Por nuk shkon që, në mes të kësaj situate, Avokati i Popullit të shfaqet sikur ekziston, me një deklaratë që na numëron shkeljet, na shpjegon çfarë nuk ka kompetencë të bëjë dhe dënon dhunën në të dyja anët.
Zoti Shabani, askush nuk pret që ju t’i arrestoni policët. Presim që të përdorni të gjitha kompetencat kushtetuese dhe ligjore për të dokumentuar dhe kërkuar përgjegjësinë e tyre. Presim që të kërkoni seance parlamentare ku dënoni dhunën e policisë. Presim që të hetoni për sasitë e gazit lotsjellës, cilësinë e tij, përbërjen e ujit të autoboteve, emrat e policëve dhunues, planet operacionale të masave që shkelin ligjin, e shumë të tjera si këto. Nëse po e bëni, tregojeni. Nëse jo, shpjegoni pse. Dhe kur flisni për njerëz të rrahur, të dëmtuar e të poshtëruar nga ata që duhet t’i mbrojnë, mos flisni sikur po lexoni një inventar.
Një Avokat Populli duhet të mbartë shqetësimin njerëzor të atyre që përfaqëson. Kur edhe Avokati i Popullit perceptohet si një institucion që vetëm konstaton dhe nuk është efektiv, qytetarit i mbyllet edhe një derë tjetër.
Dhe kur qytetari nuk beson më se ka më asnjë derë institucionale ku të trokasë, kaosi në rrugë fillon t’i duket e vetmja rrugë që ka mbetur.
Kjo është arsyeja pse reagimi juaj nuk duhet të jetë një tjetër dënim ceremonial i dhunës. Duhet të jetë përpjekje konkrete për të rikthyer besimin se institucionet mund ta ndalin atë. Të paktën njëri prej tyre.
Qofsha i gabuar për të gjitha këto që shkruaj më lart. Madje, do të isha shumë i lumtur të isha gabim dhe të shpresoja që ky i sotmi ishte thjesht një raport paraprak dhe ju keni ndër mend shumë më tepër se ajo që deklaruar sonte. Por, nëse jam i gabuar, zoti Shabani, dilni sa më shpejt në një tjetër konferencë shtypi dhe na tregoni konkretisht çfarë keni bërë e çfarë po bëni me të gjitha ato kompetenca që Kushtetuta dhe ligji ia japin një Avokati të Popullit të zellshëm, për t’ia futur policisë këmbët në një këpucë sa herë që abuzon me qytetarët. Na tregoni çfarë hetimesh keni nisur, çfarë provash keni kërkuar, kë keni rekomanduar për ndjekje penale, kujt i keni kërkuar llogari, për cilin do kërkoni shkarkimin nga detyra (se helbete më duhet ta di sepse mund ta kërkoj dhe unë) dhe më e rëndësishmja, kur e keni kërkuar të dëgjoheni në Kuvend. Do të ishte kënaqësi t’ju kërkoja publikisht ndjesë. Sepse asgjë nuk do të më gëzonte më shumë sesa të më provohej se, të paktën këtë herë, një institucion po funksionon ashtu siç duhet në këtë vend që ka shkuar për lesh dhe ku të gjithë institucionet luajnë rolin sikur kjo nuk është e vërtetë./ad
