Ylber Ramadani ka konfirmuar zyrtarisht largimin nga kampionati italian pas tre vitesh aktivizim me skuadrën e Leçes.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, mesfushori i kombëtares shqiptare ka përshëndetur klubin, ku ndau një video me momentet më pikante të karrierës së tij në Seria A.
Në mesazhin e tij lamtumirës, futbollisti shprehu mirënjohje të thellë për drejtuesit e klubit, stafin teknik dhe tifozët që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe.
Ramadani e cilësoi Leçen si shtëpinë e tij të dytë dhe premtoi se do të mbetet gjithmonë një ndjekës i skuadrës.
“Lecce, shtëpia ime, dua të të falënderoj nga thellësia e zemrës sime për këto 3 vite që kam kaluar këtu, është sikur te kem jetuar këtu për 30 vjet. Dua të falënderoj drejtorin Corvino Trinchera dhe presidentin. Dua të falenderoj të gjithë trajnerët e mi që më kanë ndjekur këto 3 vite te Lecce dhe në fund të gjithë tifozët e mrekullueshëm që më kanë mbështetur gjithnjë si në momentet e bukura dhe ato të vështira. Ju uroj të gjithëve më të mirën. Do t’ju ndjek gjithmonë Lecce”, shkruante në postimin e tij në Instagram, Ylber Ramadani.
Tashmë, karriera e mesfushorit kuqezi do të zhvendoset në Turqi, ku ai do të bashkohet me ekipin e Çorum FK në Superligë.
Ky transferim shënon një etapë të re profesionale për lojtarin, i cili kërkon objektiva më të lartë në kampionatin turk./mxh
