Last Updated on 24/07/2025 by adminfjala
Në vitin 1911, Hiram Bingham III ri-zbulon Machu Picchu, qytetin legjendar të humbur të Incave në Peru. I vendosur mes maleve të Andeve, Machu Picchu ishte një vendbanim i lashtë inka, që për shekuj me radhë kishte mbetur i fshehur nga bota perëndimore. Zbulimi i tij më 24 korrik nga Bingham, një historian dhe eksplorator amerikan, konsiderohet një nga arritjet më të mëdha arkeologjike të shekullit XX, që hapi një dritare të re në historinë, kulturën dhe arritjet e qytetërimit inka.
Bingham, i udhëhequr nga vendasit dhe nga një djalosh peruan, arriti në rrënojat e Machu Picchut, të mbuluara nga bimësia e dendur. Ai i dokumentoi gjetjet me foto dhe shënime, duke sjellë vëmendjen botërore mbi këtë qytet malor që besohet të ketë qenë një qendër fetare apo rezidencë mbretërore e ndërtuar në shekullin XV.
Më vonë, Bingham do të bëhej guvernator i Connecticut për vetëm një ditë (1924), përpara se të shërbente si senator amerikan nga i njëjti shtet. Përveç karrierës politike, ai mbetet i njohur mbi të gjitha për kontributin e tij në eksplorimin dhe promovimin e trashëgimisë së Amerikës së Jugut. Machu Picchu, sot një nga Shtatë Mrekullitë e Reja të Botës, mbetet dëshmi e gjallë e shkëlqimit të qytetërimit inka.
Përgatiti: L.Veizi