Last Updated on 28/09/2025 by adminfjala
Në shtator të vitit 1944, ndërsa Ushtria e Kuqe përparonte drejt republikave baltike, trupat sovjetike zbuluan një nga faqet më të errëta të krimeve naziste: kampin e përqendrimit të Klooga-s, në Estoni. Aty, pas tre vitesh të mbushura me dhunë, urie dhe punë të detyruar, realiteti i tmerrshëm i Holokaustit u shfaq edhe një herë në gjithë brutalitetin e tij.
Kampi i Klooga-s ishte ngritur në vitin 1941, fillimisht si pjesë e rrjetit të kampeve satelite të kompleksit të madh të Vaivara-s. Në të u grumbulluan hebrenj të deportuar nga Lituania, Letonia dhe Polonia, si dhe robër rusë të luftës. Qindra të burgosur dërgoheshin më pas drejt Gjermanisë për punë të detyruar, por shumë të tjerë nuk e kapërcyen kurrë portën e hekurit të kampit.
Mbi 3 mijë vetë humbën jetën në Klooga – shumica nga uria, kushtet çnjerëzore dhe ekzekutimet masive. Në prag të ardhjes së Ushtrisë së Kuqe, nazistët tentuan të zhduknin gjurmët: më 19 shtator 1944, rreth 2 mijë të burgosur u pushkatuan dhe trupat e tyre u dogjën mbi zjarre të mëdha me trungje druri. Kur trupat sovjetike hynë në kamp, ata gjetën një skenë makabre – kufoma të grumbulluara, gjurmë gjaku dhe dëshmi të një masakre të kryer me nxitim.
Megjithatë, rreth 3 mijë të burgosur kishin mbijetuar deri në fund të luftës. Ata ishin dëshmitarë të gjallë të krimeve të nazistëve dhe zëri i tyre u bë pjesë e provave përpara gjyqeve ndërkombëtare pas vitit 1945.
Klooga mbeti një kujtesë e gjallë e asaj që ndodhi në tokat baltike: një kamp i vogël në dukje, por me tragjedi që pasqyrojnë përmasat e Holokaustit në Evropën Lindore.
Përgatiti: L.Veizi
