Last Updated on 02/10/2025 by adminfjala
Më 1991, gjatë shpërthimit të luftës civile në ish-Jugosllavi, filloi një nga episodet më dramatike të konfliktit: rrethimi i Dubrovnikut.
Qyteti kroat buzë Adriatikut, i njohur për bukuritë e tij arkitektonike dhe për trashëgiminë kulturore të mbrojtur nga UNESCO, u gjend për 245 ditë nën sulmet e ushtrisë jugosllave të përbërë kryesisht nga forca serbo-malazeze. Sulmet nisën më 1 tetor 1991, duke goditur qytetin nga ajri, deti dhe toka.
Për muaj të tërë, Dubrovniku u bombardua rëndë, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha jo vetëm në infrastrukturën civile, por edhe në monumente të kulturës dhe historisë botërore. Rrethimi përfundoi në maj 1992, pas tetë muajsh të gjatë luftimesh dhe izolimi.
Bilanci ishte i rëndë: rreth 500 ushtarë dhe civilë humbën jetën, mijëra të tjerë u plagosën, ndërsa një pjesë e madhe e popullsisë u detyrua të largohej.
Qyteti i vjetër i Dubrovnikut, i mbrojtur nga UNESCO, pësoi dëmtime të rënda, por pas përfundimit të luftës u rindërtua me kujdes dhe u rikthye si një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të Kroacisë.
Rrethimi i Dubrovnikut mbetet një simbol i tragjedisë së luftërave ballkanike të viteve ’90, ku kulturës dhe trashëgimisë botërore nuk iu kursyen plagët e konfliktit.
Përgatiti: L.Veizi
