Last Updated on 20/07/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi
Në mes të vapës së një vere të përgjakshme, ndërsa Lufta e Dytë Botërore po i afrohej pikës së kthesës së saj më dramatike, në një kasolle prej druri në rajonin e Rastenburgut të Prusisë Lindore, ndodhi një nga atentatet më të famshme dhe më të dështuar të historisë moderne: Koloneli Claus von Stauffenberg, oficer i lartë i Wehrmacht-it dhe veteran i plagosur i frontit të Afrikës, vendosi një bombë në selinë fushore të Adolf Hitlerit – në atë që njihet sot si Komploti i 20 korrikut. Synimi ishte i qartë: vrasja e diktatorit nazist dhe shembja e makinerisë së tij totalitare, për të shpëtuar Gjermaninë nga shkatërrimi i plotë dhe për të rivendosur nderin e një ushtrie që, sipas Stauffenbergut, ishte zhytur në krim.
…Nuk ishte e thënë që Adolf Hitleri të vritej në asnjë rrethanë. As nga kundërshtarët e tij dhe as nga armiqtë e zhgënjyer. Ai iu mbijetoi të gjithë atentateve. Dhe më e pabesueshmja ishte se i mbijetoi dhe një shpërthimi, eksplozivi i të cilit arriti të vihej fare pranë tij. Fundi për Adolf Hitlerin do të ishte vetëvrasja zyrtare. Më 30 prill 1945. Sepse për konspiracionistët ai jetoi dhe shumë vite të tjera si njeri i thjeshtë në një luginë të Argjentinës.
Po çfarë do të ndodhte nëse Adolf Hitleri do të eliminohej ndërkohë që Lufta e Dytë Botërore ende vazhdonte dhe deri në përfundimin e saj duheshin të paktën 10 muaj që do t’u kushtonte jetën dhe disa qindra-mijë ushtarëve dhe civilëve të tjerë? Një pjesë e historianëve thonë se kjo do ta përshpejtonte përfundimin e Luftës. Por ndoshta mund të mos ishte kështu. Sepse asnjëherë nuk duhej se kush do tw zëvendësonte “Führer”-in gjerman, një më liberal apo më radikal se ai. Gjithsesi, atentatet ndaj Hitlerit nuk kanë munguar. Por asnjëri prej tyre nuk ka munduar ta eliminojë atë. Përveçse një rasti ku komplotistët gati i shkuan në fund veprës së tyre…
“Staufenberg”
Historia e atentatit është ekranizuar në dy filma shumë të suksesshëm. “Staufenberg” si versioni origjinal në gjermanisht ose “Operation Valkyrie” në versionin anglisht, është një film televiziv gjermano-austriak i vitit 2004 nga Das Erste (TV gjerman ARD), i cili flet për komplotin e 20 korrikut 1944 për të eliminuar Adolf Hitlerin. Filmi, me skenar e regji nga Xho Baier, u transmetua për herë të parë më 25 shkurt 2004 në TV gjerman. Në rolin e kolonelit Shtaufenberg luan aktori Sebastian Koh i cili është aktori i njohur për një rol në filmin fitues të çmimit Oscar “Bridge of Spies” ose “Ura e Spiunëve” të Stiven Spielberg, në vitin 2015.
“Valkyri”
Vetëm katër vite më vonë një tentativë e dytë. “Valkyrie” është një film historik thriller politik i vitit 2008 me regji të Brajan Singer, shkruar nga Kristofer MekKuarrie dhe Nathan Aleksandër, me protagonist Tom Kruis. Në “plot”-in e filmit thuhet se ngjarjet zhvillohen në Gjermaninë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe përshkruan komplotin e 20 korrikut në 1944 nga oficerët e ushtrisë gjermane për të vrarë Adolf Hitlerin dhe për të përdorur planin e emergjencës kombëtare të Operacionit “Valkyrie” për të marrë kontrollin e vendit. Filmi u publikua nga studio amerikane “United Artists”.
Kush ishte Stauffenberg?
Klaus von Shtaufenberg ishte një oficer i ushtrisë gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai hyri në ushtri në vitin 1926. Në jetëshkrimin e tij thuhet se gjatë muajve më të qetë të viteve 1940-1941, Stauffenberg u transferua në departamentin organizativ të “Komanda e Lartë e Ushtrisë”, e cila drejtonte pushtimin gjerman të Bashkimit Sovjetik dhe operacionet në Frontin Lindor.
Në vitin 1943, Stauffenberg u gradua në nënkolonel i shtabit të përgjithshëm, dhe u dërgua në Afrikë për t’u bashkuar me Divizionin e 10-të “Panzer” si Oficer i saj i Operacioneve në Shtabin e Përgjithshëm.
Më 7 prill 1943, Stauffenberg u përfshi në drejtimin e lëvizjes nga një njësi në tjetrën. Pranë Mezzouna, automjeti i tij që ishte pjesë e një kolone u shkatërrua nga bombarduesit luftarakë P-40 Kittyhawk të Forcave Ajrore të Shkretëtirës dhe ai mori plagë të shumta të rënda. Stauffenberg kaloi tre muaj në një spital në Mynih. Ai humbi syrin e majtë, dorën e djathtë dhe dy gishta në dorën e majtë. Pas plagosjes së tij, Shtaufenberg-ut iu dha Kryqi gjerman në ar.
Atentati
Kur e mori veten nga plagët, Shtaufenbergut iu afrua një grup konspiratorësh të udhëhequr nga Gen Henning von Tresckow, të cilët donin të eliminonin Hitlerin dhe të përmbysnin regjimin nazist. Shtaufenberg u bë udhëheqës i atentatit.
Më 20 korrik 1944 Shtaufenberg niset në orën tetë të mëngjesit në drejtim të shtabit qendror të “Führerit” që ishte në një zonë malore të Bavarisë afër Rastenburgut. “Wolfsschanze” ose ndryshe “Strofulla e Ujkut”, ishin zyrat qendrore sekrete të Hitlerit në Frontin e Lindjes. Qëllimi ishte: Vrasja e Adolf Hitlerit me anë të një bombe. Për shkak se pozita e tij në ushtri i jepte mundësi t’i afrohej udhëheqësit nazist, Shtaufenberg mori përsipër të vendoste bombën më sahat në Shtabin e Përgjithshëm, shumë pranë karriges ku ishte ulur Hitleri. Bomba shpërtheu disa çaste pasi Shtaufenberg ishte larguar nga salla e mbledhjeve. Katër persona vdiqën menjëherë nga shpërthimi, por Hitleri vetëm sa u plagos lehtë.
Po atë ditë radioja njoftoi: “Ndaj Udhëheqësit është kryer sot një atentat me eksploziv. Përveç plagëve të lehta nga djegia si dhe hematomave ai nuk ka pësuar asgjë tjetër. Ai ka filluar punën menjëherë dhe sipas planit, priti Duçen në një bisedë të gjatë përbashkët”.
Hakmarrja
Në propagandën zyrtare atentati i 20 korrikut 1944 nënvleftësohet e thuhet se ishte një akt dëshpërimi. Por në të vërtetë Hitleri dhe pasuesit fanatikë të tij shqetësoheshin për moralin e trupës në luftë dhe për cilësinë e korpusit të oficerëve. Në javët dhe muajt që pasuan u arrestuan rreth 1000 burra dhe gra, të cilët regjimi nazist i akuzoi për pjesëmarrje në hartimin e planeve për përmbysje. Rreth 200 nga të arrestuarit u dënuan me vdekje nga i ashtuquajturi gjyqi popullor me kryegjyqtarin Roland Freisler nën akuzën tradhti e lartë ndaj shtetit.
Pas atentatit, Stauffenberg dhe organizatorët e tjerë të komplotit u arrestuan dhe u ekzekutuan. Gruaja e tij dhe anëtarët e tjerë të familjes u dërguan në kampet e përqendrimit. Fëmijëve të tij, sipas urdhrit të Hitlerit, iu ndryshuan emrat, dhe u dërguan të rriten në familjen e një ushtari SS. Bashkëshortja edhe fëmijët u liruan në fund të luftës.
Epilogu
Komploti i 20 korrikut mbeti një simbol i qëndresës së brendshme gjermane ndaj nazizmit, një përpjekje tragjike për të ndalur të pamundurën – dhe një kujtesë se edhe në errësirën më të dendur, dikush tentoi të ndizte një shkëndijë.