Last Updated on 04/10/2025 by adminfjala
Më 4 tetor 2001, një avion i linjës ajrore ruse “Siberian Airlines Flight 1812”, që udhëtonte nga Tel Avivi drejt Novosibirskut, shpërtheu në ajër mbi Detin e Zi. Në bord ndodheshin 78 persona, shumica shtetas izraelitë, përfshirë edhe anëtarët e ekuipazhit. Asnjë nuk mbijetoi.
Hetimet zbuluan se shkak i tragjedisë ishte një rraketë ukrainase S-200, e lëshuar gabimisht gjatë një stërvitjeje të ushtrisë pranë Krimesë. Fillimisht autoritetet ukrainase mohuan çdo përgjegjësi, por më pas, nën presionin e provave dhe ekspertëve ndërkombëtarë, Kievi zyrtar pranoi fajin dhe kërkoi falje publike.
Ky incident tronditi opinionin ndërkombëtar dhe nxiti kritika të ashpra ndaj standardeve të sigurisë ushtarake. Ukraina e justifikoi ngjarjen si një “aksident tragjik” dhe u angazhua të kompensonte familjet e viktimave, duke paguar mbi 15 milionë dollarë në total.
Tragjedia e fluturimit 1812 mbetet një nga shembujt më dramatikë të rrezikut që mbartin manovrat ushtarake të pakontrolluara, kur ato kryhen pranë hapësirave ajrore civile. Për shumëkënd, ajo u bë simbol i pasigurisë që mund të lindë në momente të pakujdesisë, ku një stërvitje ushtarake e zakonshme u shndërrua në një fatkeqësi ajrore me përmasa njerëzore dhe politike.
Përgatiti: L.Veizi
