Shfaqja teatrale “24 orë nga jeta e një votuesi” është shfaqur në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, duke sjellë për publikun korçar një vepër ndryshe, që bashkon teatrin politik, satirën dhe elementët e kabaresë.
Një shfaqje që trajton realitetin shoqëror dhe politik shqiptar përmes humorit, ironisë dhe reflektimit. Vepra vendos në qendër figurën e votuesit të thjeshtë, njeriun e zakonshëm, që përgjatë 24 orëve përballet me presione, zhgënjime dhe absurditete që burojnë nga sistemi. Përmes situatave satirike, shfaqja pasqyron pamundësinë e individit për të gjetur veten në një realitet që shpesh e shtyp, por pa e humbur asnjëherë sensin e humorit.

Regjisorja e shfaqjes, Driada Dervishi, e konsideron këtë projekt si një sfidë të bukur artistike, duke theksuar se teatri politik në formën e kabaresë është një gjini pak e eksploruar në skenat shqiptare. Sipas saj, politika shqiptare ofron çdo ditë material dhe tema të mjaftueshme për tu sjellë në skenë, duke i trajtuar problematikat serioze përmes humorit, satirës dhe ironisë.
“Për mua ishte një sfidë shumë e bukur, një teatër politik, satirik në formën e kabaresë. Është një gjini që nuk është lëvruar në skenat shqiptare. Mendoj që i kemi të gjitha mundësitë, aq më tepër që politika na ofron brumë të përditshëm për të marrë tema, për t’i vendosur në skenë dhe për t’i trajtuar këto tema serioze duke bërë humor. Shfaqja pas Tiranës, Korçës ku gjej rastin të falenderoj publikun e mrekullueshëm për mikpritjen, shpresoj shumë që së shpejti të jemi në Shkodër, Fier dhe qytete të tjera ku do të ishte shumë bukur që udhëtimi të vazhdojë”,-tha regjisorja.
Roli kryesor interpretohet nga aktori i mirënjohur Arben Derhemi, i cili përmes personazhit të tij portretizon njeriun që do të jetojë me ndershmëri dhe punë, por që përballet vazhdimisht me presionin e sistemit. Sipas tij, përballja me realitetin përmes humorit është një mënyrë për të mos u dorëzuar, ndërkohë që publiku e ka pritur shfaqjen jashtëzakonisht mirë. Një nga mesazhet kryesore që përcillet është edhe shprehja “Qeshim që të mos qajmë”, si reflektim i gjendjes shoqërore.

“Portretizimi i pamundësisë, i atij që ka dëshirë të jetojë me djersë, që nuk e gjen kurrë veten dhe çdo moment është i presuar nga sistemi e gjithçka që ndodh në një vend të tillë. E megjithatë sensin e humorit ky personazh nuk e le kurrë sepse duke menduar me humor, bëjmë më të mirën tonë. Publiku e ka pritur jashtëzakonisht shumë mirë, komentet janë nga më të mirat për të gjithë ne. “Qeshim që të mos qajmë”, ky është edhe mesazhi”,-tha Derhemi.
Një element i veçantë i shfaqjes është edhe përfshirja e pjesëve muzikore, të cilat vijnë në një rend kronologjik, duke pasqyruar momente kyç nga historia shqiptare, nga periudha e Rilindjes dhe Shpallja e Pavarësisë në vitin 1912, e deri te zgjedhjet e vitit 2025.
“U trajtua si kabaretë, është një gjë e re për Shqipërinë, i jep një ngjyrë shumë më të mirë veprës dhe këngët që vijnë në rend kronologjik nga rilindja e 1912-tës deri në zgjedhjet e vitit 2025”,-shtoi aktori.
Drejtoresha e Teatrit të Korçës dhe njëkohësisht aktore në shfaqje, Zamira Kita, shprehet e lumtur për pritjen pozitive të publikut në të dy netët e shfaqjes. Ajo thekson se humori është elementi kryesor që e bën shfaqjen të afrueshme për publikun, ndërkohë që përmes tij trajtohen problematika të rëndësishme shoqërore dhe politike. Sipas saj, mesazhi kryesor që trupa synon të përcjellë është ai i përgjegjësisë qytetare dhe pjesëmarrjes në zgjedhje.

“Jam shumë e lumtur që publiku e ka pritur shumë mirë në të dy ditët. Shfaqja është shumë e bukur. Jam shumë e lumtur që luaj me Arben Derhemin, Xhuliano Briskun, që e kemi aktorin e Korçës dhe Ermir Hoxhajn, që e kemi të ftuar si Arbenin. Besoj se publiku e ka marrë mesazhin dhe ka qeshur shumë sepse dihet që kjo shfaqje ka humor. Trajtohen shumë problematika, por ajo që është kryesorja dhe mesazhi që ne duam të përcjellim është “Votoni” sepse jemi ne që përcaktojmë fatet tona, pra vota e gjithë secilit prej nesh”,-tha Kita.
Shfaqja “24 orë nga jeta e një votuesi” është pritur me duartrokitje dhe reagime pozitive nga publiku korçar, duke konfirmuar nevojën për forma më ndryshe të teatrit, që nxisin reflektim dhe ndërgjegjësim qytetar. Pas Tiranës dhe Korçës, trupa shpreson që shfaqja të vazhdojë udhëtimin në Shkodër, Fier dhe qytete të tjera të vendit, duke e kthyer skenën në një hapësirë debati, humori dhe mendimi kritik./K.M
