Këtë të martë shënohen 26 vjet nga masakra e ndodhur mes 3 dhe 4 shkurtit në veri të Mitrovicës, ku u vranë 10 shqiptarë, mes tyre fëmijë, gra dhe të moshuar.
Shumë të tjerë u plagosën, ndërsa rreth 12 mijë shqiptarë u dëbuan dhe u detyruan të kalonin në jug, duke lënë pas shtëpitë e tyre që digjeshin.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e përkujtoi masakrën me një postim në rrjetet sociale. Ajo tha se bandat kriminale serbe vranë civilë të pafajshëm dhe e cilësoi këtë akt si një krim të hapur kundër njerëzimit. Sipas dëshmitarëve, operacioni i vrasjeve udhëhiqej nga ish-komandanti Dragan Delibashiq, Oliver Ivanoviq dhe persona të tjerë.
Gjykata Themelore në Mitrovicë, në vitin 2014, e shpalli fajtor Oliver Ivanoviq dhe e dënoi me 9 vjet burg për krime lufte ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Këshilli i Mbrojtjes së Lirive dhe të Drejtave të Njeriut ka denoncuar se vrasjet janë kryer në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe të policisë ndërkombëtare, duke ngritur dyshime për mungesë reagimi ndaj këtij akti brutal./mxh
