Prej 36 orësh pa pushim, Klodjan Ndreu është në vijën e parë të betejës me flakët që rrethuan Krujën. Efektivi i repartit zjarrfikës të Krujës ishte një prej atyre që luftoi gjatë natës për të mos lejuar zjarrin të përpinte banesat.
“Kjo ishte një situatë e jashtëzakonshme për qytetin tonë. Jemi përpjekur me të gjitha forcat. Turnet jashtë shërbimit ishin në gatishmëri të plotë. Kemi bërë të pamundurën për të evituar çdo rrezik të mundshëm”, rrëfen ai.
Në 11 vite si zjarrfikës, thotë se nuk ishte përballur kurrë me një situatë të tillë në Krujë. Për orë të tëra, flakët avancuan drejt shtëpive, ndërsa efektivët luftuan për të shmangur atë që mund të kthehej në tragjedi.
“Në 11 vite, s’kam pasur kurrë situatë kaq të vështirë në qytetin e Krujës. Ishte situatë e papërballueshme. Ne bëmë të pamundurën për të evituar çdo fatkeqësi, për djegien e banesave. Shyqyr nuk pati dëme në njerëz dhe e kaluam me sukses”, thekson ai. /Shqiptarja.com
