Nga ROLAND QAFOKU
Këta janë 40 burrat shqiptarë që si sot 113 vjet më parë hodhën firmën e rëndë të pavarësisë së Shqipërisë. Për herë të parë i kam vendosur sipas renditjes alfabetike të emrave të tyre, duke i shoqëruar me fotografitë përkatëse, ndryshe me disa lista dhe foto me gabime dhe gafa në libra, lëre pastaj në rrjetet sociale.
Ne e gëzojmë sot këtë shtet falë këtyre 40 burrave të cilët e shndërruan 28 nëntorin si festën më të madhe të kombit. Një pjesë e tyre u harruan, një pjesë u fshinë firmën në proklamatë, një pjesë u vranë, një pjesë u shpallën armiq dhe një pjesë e kanë varrin jashtë Shqipërisë dhe një pjesë nuk kanë fare varr. Brezit tonë i del si detyrë jo thjesht ti kujtojmë në një ditë si kjo, por t’i nderojmë siç ata e meritojnë. Prej vitesh kam hedhur idenë e ngritjes së një panteoni që në një parcelë të veçantë në Tiranë të jenë varret e të 40 firmëtarëve.
Ky do ishte një nderim dhe respekt minimal që do t’u bënim atyre dhe do na tregonte në sytë e Evropës dhe Botës një popull të qytetëruar larg urrejtjeve dhe larg ndasive të tipit disa ishin miq dhe disa heronj. Çfarëdo të kenë bërë atë në jetën e tyre, hedhja e firmës në proklamatën e pavarësisë më 28 nëntor 1912 është jo vetëm kryevepra e jetës së tyre, por edhe kryevepra në historinë e Shqipërisë. Vetëm ky akt mjafton.

