Arrestohet kryebashkiaku Erion Veliaj, masë edhe për bashkëshorten

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Mesditën e djeshme agjentët e BKH-së i kanë vendosur mbi tavolinën e zyrës së Erion Veliajt urdhër arrestin. Veliaj akuzohet për korrupsion dhe fshehje të pasurisë, ndërsa “arrest shtëpie” është dhënë edhe për bashkëshorten e tij Ajola Xoxe. Në pranga ka rënë edhe biznesmeni Elman Abule, ndërsa 5 biznesmenë të tjerë, kryesisht në fushën e ndërtimit janë në detyrim paraqitje.

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ekzekutuar mesditën e së hënës urdhrin e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Arrestimi u krye rreth orës 14:00 brenda ambienteve të bashkisë, ku agjentët e njoftuan Veliajn për masën e sigurisë “arrest në burg”, e cila ishte vendosur nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sipas hetimeve të SPAK, Veliaj dyshohet për përfshirje në një skemë korruptive të shpërndarjes së fondeve publike dhe lejeve të ndërtimit, nga e cila kanë përfituar subjekte private në mënyrë të paligjshme. Këto fonde më pas janë kanalizuar në llogaritë e entiteteve të lidhura me familjarët e tij, përfshirë bashkëshorten Ajola Xoxe. Për këtë arsye, Gjykata ka caktuar për Xoxen masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi ajo akuzohet për të njëjtat vepra penale si Veliaj, përfshirë “korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, “pastrimin e produkteve të veprës penale” dhe “fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurisë”.

Në njoftimin zyrtar të SPAK thuhet se hetimet kanë zbuluar një skemë të mirëorganizuar, ku Veliaj, përmes vendimmarrjes së tij në krye të bashkisë, ka miratuar shpërndarjen e fondeve dhe dhënien e lejeve të ndërtimit për kompani të caktuara, të cilat më pas kanë transferuar shuma të mëdha parash tek organizata jofitimprurëse dhe kompani private të kontrolluara nga bashkëshortja e tij.

Ndër përfitimet kryesore të kësaj skeme dyshohet të jetë një vilë luksoze në kompleksin “Marea Resort” në Qerret, e cila është marrë në mënyrë të parregullt si shpërblim për lejet dhe fondet e siguruara nga Bashkia e Tiranës për bizneset e përfshira. SPAK ka bërë me dije se hetimet nuk ndalen vetëm tek kryebashkiaku dhe bashkëshortja e tij. Prokuroria ka regjistruar në regjistrin e personave nën hetim edhe deputeten socialiste Klotilda Bushka, e cila dyshohet për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Sipas dokumenteve të prokurorisë, ekzistojnë të dhëna që sugjerojnë se Bushka ka ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme për të ndikuar në ecurinë e hetimeve, duke penguar zbulimin e skemës së korrupsionit të organizuar. Megjithatë, për momentin ndaj saj nuk është caktuar një masë sigurie, por hetimet vazhdojnë në lidhje me përfshirjen e saj.

Lexo edhe :  Veliaj dhe arkitekti Ingles inspektojnë punimet për Teatrin e Ri

Erion Veliaj ishte një nga figurat më të rëndësishme politike të Partisë Socialiste dhe një nga tre drejtuesit politikë të qarkut të Tiranës për zgjedhjet e ardhshme. Edhe pse nuk kishte një zonë të përcaktuar, ai ishte koordinator i gjithë qarkut dhe një nga zërat më të fuqishëm të PS-së.

Arrestimi i tij përbën goditjen më të rëndë për Partinë Socialiste që prej ardhjes në pushtet në vitin 2013 dhe vë në pikëpyetje strategjinë e partisë në prag të zgjedhjeve. Veliaj kishte kohë që nuk zhvillonte takime me bazën socialiste dhe nuk kishte pasur angazhime të drejtpërdrejta me diasporën, por vetëm një javë më parë ishte shfaqur në krah të Ramës gjatë një inspektimi në konviktet e Qytetit Studenti.

Zhvillimet e fundit tregojnë se SPAK është duke çuar përpara një hetim të gjerë për korrupsionin në nivelet më të larta të pushtetit vendor dhe qendror. Veliaj, i cili për shumë vite shihej si një nga kandidatët e mundshëm për të pasuar Edi Ramën në krye të PS-së, tani përballet me akuza të rënda që mund të çojnë në dënime të ashpra, nëse ato vërtetohen në gjykatë.

Arrestohet edhe biznesmeni Abule

Me urdhër të SPAK është arrestuar edhe biznesmeni Elman Abule. Ai akuzohet për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim”. Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin.

“Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale, për një shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “……..” shpk””, thuhet një njoftimi zyrtar të SPAK.

Autoritetet e drejtësisë kanë shpallur detyrim për paraqitje në SPAK për pesë biznesmenë shumë të njohur dhe të fuqishëm. Vala e masave të sigurisë ka përfshirë biznesmenët Gentian Sula, Neriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.

Të fundit

Në hetim nga SPAK/ Reagon sërish Klotilda Bushka: Ç’punë kam unë në çështjen e Veliajt?

Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka ka reaguar lidhur me hetimet që SPAK po kryen ndaj saj, e cila...

NBA/ Debutim ëndrrash tek Lakers, Luka Doncic rrëmben zemrat e tifozerisë vendase

Mbrëmja e së hënës risolli vëmendjen e sportdashësve amerikanë tek NBA pas finales së madhe të Super Bowl. Vëmendjen kryesore e mori sigurisht ekipi i...

Presidenti Donald Trump nënshkruan urdhrin ekzekutiv për rikthimin e pipëzave plastike

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv, përmes të cilit ai rikthen në SHBA pipëzat plastike. Teksa nënshkroi urdhrin, Trump tha se...

Biografia e re e Marie Curie dhe urgjenca e njohjes së vlerës së shkencëtarëve femra

"Një gabim që i atribuon një burri atë që është në të vërtetë puna e një gruaje ka më shumë jetë se një mace!" Me...

Skandal në Spanjë, lojtari i Realit rrezikon të dënohet me 5 vite burg për…

Një skandal ka përfshirë lojtarin e Realit, Raul Asencio. Ky i fundit rrezikon të dënohet me 5 vite burgim, për shkak të një skandali...

Lajme të tjera

Web TV