Last Updated on 21/02/2025 by adminfjala
Kryeministri Edi Rama mblodhi dje në “Sheshin Skënderbej” administratën e Bashkisë Tiranë, duke përfshirë të gjithë sektorët. Në një ligjërim të gjatë, Rama vlerësoi punën e kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, ndërsa u dha sinjalin e qartë nëpunësve të bashkisë se do të kenë mbështetjen e tij. Lëvizja politike e Ramës për të “bashkuar” mbështetësit e shumë të Veliajt me kopolën e PS-së.
Në një takim masiv me punonjësit e Bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”, kryeministri Edi Rama dha një mesazh të fortë për vazhdimësinë e punës në kryeqytet, duke theksuar se ndonëse drejtësia duhet të ndjekë rrugën e saj në rastin e arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, zhvillimi i Tiranës nuk mund të ndalet. Ai foli për arrestimin e Erion Veliajt, duke e quajtur “të pashpjegueshëm dhe të paimagjinueshëm” vendimin për ta lënë atë në burg pa gjyq. “Nuk më takon mua të them nëse Lali Eri është i pafajshëm apo fajtor. Pavarësisht se çfarë mendojmë ne, barra ime është që në këtë detyrë të qëndroj mbi opinionin tim dhe t’ia lë drejtësisë të ndajë këtë dilemë duke mbështetur pavarësinë e organeve të drejtësisë. Barra juaj e përbashkët është që makineria e bashkisë së Tiranës të mos fiket asnjë minutë, por të xhirojë 24 orë në të gjitha drejtimet. Deri kur çështja e Erionit të marrë drejtim, vëmendja ime për Tiranën do të jetë e pandërprerë,” deklaroi Rama, duke u bërë thirrje punonjësve të bashkisë të mos lejojnë që puna të ndalet. Mesazhet e Ramës duket se qëlluan fort në dy drejtime. Së pari mbajti të karikuar administratën e bashkisë më të madhe në vend duke u treguar se kanë mbështetjen e tij, madje duke thurur elozhe për punën e Velijt dhe së dyti tentoi të shuajë çdo zë në PS që arrestimin e Velijt e lidhnin me një “perceptim” disi masiv se “e lëshoi Rama”. Në këtë mënyrë mesazhi ishte i qartë se duhej angazhim nga të gjithë në fushatën e Tiranës, veçanërisht nga administrate e bashkisë. Ndonëse vlerësoi punën e çdo punonjësi në bashki, ai qe kritik për protestën e zhvilluar prej tyre kundër vendimit të SPAK për arrestimin e Veliajt, duke theksuar se “nuk duhet të përsëriten më protesta para institucioneve të drejtësisë”. “Makineria e Bashkisë të mos ndalet asnjë minutë, por të vijojë të xhirojë 24 orë në çdo cep. Jam këtu për t’ju thënë se vëmendja ime për Bashkinë e Tiranës nuk do të mungojë. Asnjë buf me asnjë llum nuk e mbulon dot transformimin kolosal të Tiranës tonë. Pa mua që e nxora nga koma dhe e ngrita në këmbë me mbështetjen e pakursyer të popullit të Tiranës dhe PS, dhe pa Lali Erin që e bëri të vrapojë dhe të kthehet në një destinacion turistik, ky qytet nuk do të ishte dot kurrë vendi ku shëtisin si evropianë që të gjithë: qytetarë, analistë, prokurorë, gjithologë, demokratë…”, tha shefi i qeverisë. Rama solli në vëmendje edhe zhvillimin ekonomik të bashkisë, duke përmendur shifrat e të ardhurave të gjeneruara nga taksa e ndërtimit dhe investimet publike. “Në 10 vitet e fundit të ardhurat e Bashkisë së Tiranës janë rritur 9-fish. Kanë qenë 30 milionë euro kur bashkia gërhiste, vjet 271 milionë euro të ardhura. Tani dëgjoni sesa para ka marrë Bashkia e Tiranës nga të pasurit, nga ata që ndërtojnë për lejet e ndërtimit. Me taksën e gërhitjes dhe të ekspertëve të shkëlqyer, Bashkia mblidhte 930 mijë euro në vit, pjesën e pjesës e dinë ata. Me propozim të Erion Veliaj, taksa u rrit në 2016 dhe u bë 10-fish. Ndërsa në 2024 janë mbledhur 157-fish. Domethënë, 147 milionë euro vetëm nga taksa e ndërtimit. Ndërsa atyre që thonë ‘nuk duam kulla’, u themi: kopshte doni, shkolla doni, korsi biçikletash, autobus, kartë studenti, ushqim për fëmijët falas i doni? Me çfarë bëhen këto? Duke rritur bar në sheshin Skënderbej? Totali që Bashkia ka marrë, sepse kur sheh se nga e kemi nisur nga një çmenduri që e quanim dhe qytet, çfarë të presësh nga ata kur bufi i tyre thoshte ‘ju keni bërë mrekullinë e 8 të botës, qytetin e parë pa leje në botë’. Çfarë të presësh nga këta antieuropianë? Gjysmë miliard dollarë ka mbledhur bashkia nga 2016-2024 vetëm nga taksa e ndërtimit. Duke kujtuar kohën kur ishte vetë kryebashkiak, Rama tregoi një episod nga mënyra se si menaxhoi pastrimin e Lanës, duke vendosur rregulla të reja për ndërtuesit dhe duke i detyruar të kontribuojnë për qytetin. “Kam bërë unë korrupsion? I kam thirrur ndërtuesit në zyrë këtu dhe u kam thënë: ‘Ore, keni dhënë ndonjë lek për lejet e ndërtimit?’ Ata shikonin të habitur. ‘Ke dhënë ti? Jo. Ti jo? Jo. Po mirë, më dini budalla mua që merrni leje ju dhe nuk jepni gjë? Ka ardhur tani koha që t’i paguani ryshfetin qytetarëve të Tiranës.’ Jua ndava segmentin e Tiranës me copa, u thashë: ‘Merrni buldozerët tuaj, prishni, pastrojini ose ndryshe nuk merrni më leje ndërtimi.’ Në përfundim të fjalës së tij, Rama dha një mesazh të qartë për të ardhmen e Bashkisë së Tiranës. Ai la të kuptohet se do të ketë një rol kyç në menaxhimin e saj, duke siguruar që asnjë projekt të mos mbetet pezull. “Makineria e bashkisë duhet të xhirojë 24 orë, dhe unë do të jem këtu për ta garantuar këtë,” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se, të paktën për momentin, ai ka marrë frenat e kryeqytetit.