Kreu i PD-së Sali Berisha e ka konsideruar si “dalje nga konteksti” i deklaratës së tij për shkrirjen e Prokurorisë së Posaçme. Tërheqja e Berishës nga qëndrimi i pak ditëve më parë vjen edhe si një taktikë politike pas reagimit qytetar, përfshi edhe anëtarë të PD-së që mbështesin institucionin e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit.
“Ky institucion nuk do të ekzistojë. Një institucion jashtë çdo kontrolli duhet shuar me çdo kusht.” Me këtë deklaratë të fortë, Sali Berisha kishte paralajmëruar më herët shkrirjen e SPAK me ardhjen e tij në pushtet. Megjithatë, tashmë ai ka bërë një hap pas, duke u tërhequr nga ky qëndrim.
Nga selia blu, ai sqaroi se deklaratat e tij janë keqinterpretuar, duke theksuar se është kundër një prokurorie politike dhe jo kundër ekzistencës së institucionit. Por mesa duket Berisha është vënë nën presion nga deklaratat e tij, duke ia lënë medias barrën e keqkuptimit të fjalëve të tij.
“Tani, nuk duhet, mendoj unë, të bëjmë interpretime jashtë kontekstit. Ajo që kam deklaruar dhe deklaroj unë, është se kurrë në qeverisjen e PD, Shqipëria nuk do të ketë prokurori politike”, tha Berisha. Kjo tërheqje erdhi vetëm pak orë pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se Berisha priste vetëm një sinjal prej tij për të shkrirë SPAK-un.
Megjithëse e quan një prokurori politike, kreu i opozitës doli në mbrojtje të prokurorit Ols Dado, duke kundërshtuar akuzat e Erion Veliajt. Kryebashkiaku i arrestuar pretendoi se Dado e kishte quajtur “ndyrësirë”, një deklaratë që u mohua nga SPAK. Berisha e cilësoi këtë si falsifikim dhe paralajmëroi padi penale ndaj Veliajt. “Me mashtrimin e djeshëm ndaj publikut, Erion Veliaj tregoi se, për t’i shpëtuar krimeve që ka kryer, është i aftë të ndërmarrë çdo veprim. Ai e përshkallëzoi qëndrimin e tij kriminal, duke mashtruar qytetarët shqiptarë”, u shpreh Berisha.
Rama: SPAK, baby institucion
Prej shumë kohësh, por edhe dy muaj para zgjedhjeve, SPAK është kthyer në një element kyç të fushatës elektorale për dy forcat kryesore politike në vend. Mazhoranca e sheh si një institucion që duhet të kthehet në standard dhe të vijojë funksionimin e tij, ndërsa opozita ka artikuluar kërkesën për zhbërjen e tij.
Kryeministri Edi Rama, në komunikimin e tij të fundit, e cilësoi SPAK si një institucion të ri që ka nevojë për kritika, por që duhet të respektohet nga të gjithë: “Është një ‘baby’ institution, ka nevojë për kritika. Çdo njeri që shkon atje duhet të respektohet”, tha Rama. Në këtë dalje publike, ai ngriti një situatë hipotetike, duke nënkuptuar se për këtë çështje Berisha është gati të bashkëpunojë me të, pavarësisht përplasjeve politike: “Me një fishkëllimë vjen”, tha Rama, duke aluduar se lideri i opozitës është i gatshëm për një marrëveshje për SPAK.
Më pas, kreu i qeverisë e mohoi këtë skenar, duke theksuar se nuk janë ndërkombëtarët ata që e ndalojnë, por se ai vetë dëshiron ta mbështesë SPAK-un: “Amerika iku, mori edhe njerëzit nga SPAK… iku”, u shpreh ai. Përmes patronazhistëve dhe strukturave të tij, Rama ka pranuar disa herë se zgjedhjet e 11 majit i sheh si një mundësi historike për të siguruar mandatin e katërt qeverisës.
Berisha kundër Ramë
Lideri demokrat komentoi edhe lëvizjen e kryeministrit Rama për të zhvilluar një dëgjesë me rektorin e Universitetit Bujqësor pas urdhër-arresteve në këtë institucion, duke e cilësuar si një shenjë paniku.
“Edi Rama është në tmerr. Kërkon që çdo urdhër-arresti, para se të ekzekutohet apo të lëshohet, t’i kalojë më parë nga zyra e tij për miratim”, theksoi Berisha. Në fund, ai akuzoi mazhorancën për zhdukjen e dokumenteve shtetërore, duke pretenduar se në Bashkinë e Tiranës po digjen dhe shkatërrohen mijëra të tilla.