Last Updated on 08/06/2025 by adminfjala
Partia Demokratike kërkon nga organet e drejtësisë që të nisin hetimet për kryetaren e komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani pas investigimit mediatik që hodhi dritë mbi mënyrën sesi mjetet e institucionit ishin vënë në dispozicion të familjarëve të saj. Partia më e madhe e opozitës kërkon dhe që Këshilli i Ministrave të shpallë zgjedhjet e reja në kryeqytet.
Dorjan Teliti, Këshilltar për Çështjet Ekonomike në Partinë Demokratike dhe njëkohësisht Nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, ka denoncuar abuzimet e vazhdueshme me asetet dhe financat publike në Bashkinë e Tiranës.
Duke iu referuar pamjeve të publikuara nga emisioni investigativ “Piranja”, Teliti akuzoi kryetaren në detyrë të Bashkisë, Anuela Ristani, për përdorim të mjeteve publike në funksion të interesave personale dhe familjare, duke shkelur rëndë etikën dhe ligjin.
Në deklaratën e tij për mediat nga selia e PD, ai kërkoi hetim të menjëhershëm nga organet e drejtësisë, llogaridhënie në Këshillin Bashkiak dhe largimin e menjëhershëm të Ristanit nga detyra, ndërsa rithekson se Tirana nuk mund të vijojë të trajtohet si pronë private nga pushtetarët aktualë. m.p.
