Last Updated on 29/07/2025 by adminfjala
Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka vendosur këtë të martë, datë 29 Korrik të shkarkojë nga detyra dy prokurorë, Eranda Lazen e Tiranës dhe Genci Manen e Fierit, për shkak se nuk justifikojnë pasurinë me burime të ligjshme.
Sipas Kolegjit, është I drejtë pretendimi i institucionit të Komisionerëve Publikë dhe drejtuesit të SPAK se prokurorja Laze dhe bashkëshorti i saj janë në pamundësi për të vërtetuar burimet financiare të ligjshme për pagesën e këstit të parë të një apartamenti në vlerën 40 mijë euro dhe për këstin e fundit.
Po ashtu, Kolegji ka gjetur të drejtë dhe shkakun e ankimit për pamundësinë e krijimit të gjendjes cash, për arsye të mosvërtetimit të ligjshmërisë së të ardhurave të bashkëshortit nga avokatia. Sipas KPA, për këto të ardhura nuk u provua shlyerja e detyrimeve tatimore.
Ndërsa për Genci Manen, kryesuesja e trupit gjykues të KPA, Mimoza Tasi lexoi në mënyrë të përmbledhur argumentet e vendimarrjes për shkarkim, duke e konsideruar atë të papërshtatshëm për të vijuar detyrën.
Ashtu si institucioni Komisionerëve Publikë dhe drejtuesi i SPAK, edhe Kolegji ka arritur në përfundimin e se prindërit e subjektit nuk kanë pasur mundësi financiare t’i jepnin atij shumën 1.7 milionë, vlerë që sipas subjektit i ishte dhënë për shkak tëë heqjes dorë nga ana e tij prej pjesës takuese në banesën në Berat.
Sipas KPA, Mane nuk provoi me dokumentacion justifikues ligjor të ardhurat e babait nga puna pranë një shoqërie, ndërkohë që vlera 1.7 milionë lekë e pretenduar si e përfituar nga pjesa takuese e banesës, vlerësohet se është disa herë më e lartë se çmimi referencës.
Po ashtu, Koelgji konstatoi se kërkesa për çeljen e trashëgimisë është bërë pas kalimit të barrës gjatë hetimit administrative në KPK, ndërsa dhurimi i pjesës takuese është kryer në vitin 2024, pasi ishte ushtruar ankim nga ana e institucionit të Komisionerëve Publikë. (BIRN) m.p.