Eduard Dervishaj, Federata Spanjolle e futbollit
Viti 1954. Europa ende përpiqej të shëronte plagët e thella të Luftës së Dytë Botërore. Perdeja e hekurt përshkonte hartën politike duke e ndarë kontinentin në dy botë të ndryshme. Por në mes të kësaj ndarjeje të thellë, futbolli, si një gjuhë universale, vazhdonte të bashkonte zemrat e njerëzve: nga Madridi në Moskë, nga Praga në Milano, nga Tirana në Stokholm…
Pikërisht në këtë sfond gri lindi një ide, një ëndërr që sfidonte kufijtë, ideologjitë dhe gjuhët dhe që do të ndryshonte dhe pasuronte historinë e futbollit: krijimi i një gare që synonte bashkimin e klubeve më të mëdha të Europës në një kompeticion të vetëm.
Kjo ide nuk lindi në korridore burokratike apo në zyrat e ftohta të administratës, por nga pasioni dhe vizioni i dy gazetarëve francezë të jashtëzakonshëm: Gabriel Hanot, redaktor i gazetës sportive L’Équipe, dhe kolegu i tij Jacques Ferran. Nisma e tyre u ushqye pjesërisht nga një debat i ndezur në atë kohë. Gazeta britanike Daily Mail kishte shpallur me pompozitet ekipin anglez Wolverhampton Wanderers si “kampionë të Europës” apo “të botës”, pasi fituan disa ndeshje miqësore ndaj klubeve kontinentale. Hanot, në një artikull në L’Équipe, iu përgjigj anglezëve në mënyrë të prerë:
“Për të qenë skuadra më e mirë në botë, duhet të luani gjithashtu edhe në fushat e Honvéd-it dhe Spartak-ut si dhe të përballeni me dy gjigantët e tjerë të Europës: Real Madridin dhe Milanin.”
Kështu nisi ëndrra: një garë zyrtare mes klubeve më të forta të kontinentit, me qëllimin për të shpallur kampionin e vërtetë të Europës.
Gabriel Hanot, i lindur në Arras më 1889, nuk ishte vetëm ideatori i Kupës së Europës, por edhe një vizionar i rrallë. Ish-futbollist dhe trajner i kombëtares franceze, ai u bë më vonë një nga zërat më influentë në modernizimin e futbollit, përfshirë edhe krijimin e Topit të Artë. Në këtë nismë, ai gjeti një aleat të fuqishëm: Santiago Bernabéu, presidenti legjendar i Real Madridit. Kur Hanot dhe L’Équipe hodhën idenë për një kompeticion kontinental, Bernabéu e përqafoi menjëherë me entuziazëm dhe e mbështeti fuqishëm me vizionin e tij ndërkombëtar dhe dashurinë e pashuar për lojën. Falë ndikimit të tij, ideja filloi të fitonte terren dhe legjitimitet.
Më 16 dhjetor 1954, L’Équipe publikoi rregulloren e parë të garës, e cila, pas rishikimesh, iu dorëzua UEFA-s, një organizatë e sapolindur, themeluar vetëm disa muaj më parë, në qershor të atij viti. Pas një hezitimi fillestar, e mbështetur nga FIFA, UEFA i dha dritën jeshile projektit në Kongresin e Vjenës në mars 1955. Po ashtu, Federatave kombëtare ju kërkua të autorizonin pjesëmarrjen e klubeve.
Në përputhje me kërkesën e FIFA-s, emri i garës ndryshoi: nga Coupe d’Europe de l’Équipe në Coupe des Clubs Champions Européens, për të mos u ngatërruar me Kampionatin Europian të Ekipeve Kombëtare (Coupe d’Europe des Nations).
Vendi i takimit për organizimin e garës së re, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, u zgjodh Parisi. Më 2 dhe 3 prill 1955, në sallat elegante të Hotelit Ambassador në Paris, u zhvillua mbledhja themeluese. Jacques Goddet, president i L’Équipe, ftoi klubet më të mëdha të Europës. Midis pjesëmarrësve ishin Santiago Bernabéu dhe Gusztáv Sebes, zëvendës-president i UEFA-s dhe figurë e rëndësishme e futbollit hungarez.
Kështu, më 1955, nën kujdesin organizativ të UEFA-s, lindi zyrtarisht Kupa e Klubeve Kampione të Europës. Në fakt kjo nuk ishte vetëm lindja e një gare; ajo do të shënonte fillimin e një epoke që do të ndryshonte përgjithmonë historinë e futbollit europian.
Kompeticioni i parë u zhvillua në sezonin 1955–56 dhe përfshiu kampionët kombëtarë të shteteve pjesëmarrëse; gjithsej 16 ekipe, tetë prej të cilëve kampionë të federatave përkatëse:
Rot-Weiss Essen (Gjermania Perëndimore), Djurgårdens IF (Suedia), RSC Anderlecht (Belgjika), Real Madrid (Spanja), Stade de Reims (Franca), AC Milan (Italia), AGF Aarhus (Danimarka), dhe 1. FC Saarbrücken (Sarre).
Tetë klubet e tjera zëvendësuan kampionët që refuzuan pjesëmarrjen: SK Rapid Wien (Austri), Hibernian FC (Skoci), PSV Eindhoven (Holandë), Voros Lobogo (Hungari), Gwardia Warszawa (Poloni), Sporting CP (Portugali), Servette FC (Zvicër), dhe FK Partizan Beograd (Jugosllavi).
Në sezonin e parë të Kupës së Klubeve Kampione të Europës, u ndje mungesa e disa klubeve të njohur të federative si: Çekosllovakia, Bashkimi Sovjetik dhe veçanërisht nga Anglia, vendi i lindjes së futbollit, të cilat vendosën të mos merrnin pjesë. Kampionët në fuqi të Anglisë, Chelsea, që në letër do të përfaqësonte elitën angleze, mungoi për shkak të qëndrimit konservator të Federatës Angleze. Ajo refuzoi të mbështeste garën e re, duke e konsideruar më pak të rëndësishëm se kampionati vendas, një vendim që do të zbehte historinë e futbollit britanik.
Më 4 shtator 1955, në Stadiumin Kombëtar të Lisbonës, përpara 40 mijë spektatorëve të zjarrtë, u luajt ndeshja e parë zyrtare. Përballë ishin Sporting Club de Portugal dhe FK Partizani i Beogradit. Arbitri i ndeshjes ishte francezi Édouard Harzic. Takimi përfundoi me një barazim dramatik 3–3. Sapo kishte filluar një udhëtim që nuk do të ndalej më.
Ndeshja finale u luajt të mërkurën e 13 qershorit 1956, në stadiumin Parc des Princes në Paris në prani të 38.239 spektatorëve. Ishte një përballje epike ku Real Madrid FC fitoi kundër Stade de Reims me rezultatin 4–3, një prelud heroik për një dominim të gjatë të madrilenjëve.
Me kalimin e viteve ky turne u bë më shumë se një garë. Ai u shndërrua në teatër ëndrrash për tifozët dhe në një rrjet emocionesh të shtrira anekënd Europës
Nga Kupa e Europës te Liga e Kampionëve: një transformim historik
Me kalimin e viteve dhe dekadave, Kupa e Europës nuk qëndroi statike. Ajo evoluoi, u modernizua dhe fitoi statusin e një institucioni. Në vitin 1992, në një epokë të re për futbollin global, kompeticioni mori një emër të ri: Liga e Kampionëve e UEFA-s (UEFA Champions League). Përveç emrit, ndryshoi formati, grafika, dhe u krijua një logo, që sot është një nga simbolet më ikonike të sportit.
UEFA për ta ngritur më tej solemnitetin e kompeticionit, krijoi himnin zyrtar. Kompozitori Tony Britten, i frymëzuar nga “Zadok the Priest” e Handel, krijoi një vepër që sot është bërë sinonim i netëve magjike të futbollit. U krijua kështu “Champions League Anthem”, i interpretuar nga Orkestra Filarmonike Mbretërore e Londrës dhe kori i Akademisë “St. Martin in the Fields”.
Himni, me tekst në anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht, mishëron frymën e unitetit dhe madhështinë që përçon kjo garë. Ai nderon të shkuarën dhe i drejtohet një bote moderne, gjithnjë e më të lidhur, por shpesh më të ftohtë emocionalisht.
Një trashëgimi që sfidon kohën
Sot, Liga e Kampionëve është më shumë se një kompeticion sportiv: është një nga spektaklet më të ndjekura në planet, një festë e futbollit të klubeve. Ajo ruan thelbin e asaj ëndrre fillestare, por në të njëjtën kohë ka reflektuar edhe transformimet e thella të vetë futbollit.
Ndërkohë që miliona euro ndryshojnë duar, lojtarët lëvizin si pasuri të agjentëve, dhe klubet shpesh kthehen në instrumente të fuqive ekonomike globale, shpirti i garës vazhdon të jetojë. Sepse përtej parave, marketingut dhe teknologjisë, ajo që mbetet është magjia e një goli në minutën e fundit, lotët e një disfate, krenaria e një fitoreje.
Liga e Kampionëve është një trashëgimi që sfidon kohën. Nga dinastitë e lavdishme të Real Madrid, Milan, Liverpool, Ajax dhe Bayern Münich te gjigantët modernë si Barcelona, Manchester United e Manchester City, kjo garë vazhdon të jetë vendtakimi i ëndrrave dhe provës më të madhe për kampionët e vërtetë, që zhvillohet në katedralet moderne të futbollit dhe që magjeps miliarda njerëz në mbarë botën.
Dhe sa herë kur në një mbrëmje pranvere, rreth 400 milione shpirtra ulen përpara ekraneve dhe himni i famshëm kumbon në tempullin që shkëlqen nga dritat, është e pamundur të mos kujtojmë me mirënjohje ata burra vizionarë që në një Europë të rrënuar imagjinuan një të ardhme më të ndritur për lojën më të bukur dhe pse jo, guxuan të ëndërronin bashkimin përmes një topi futbolli.