Ervin Salianji është paraqitur për herë të fundit në shërbimin e provës, pasi u lirua me kusht nga burgu i Fierit më 8 korrik, dhe pasi kreu 9 muaj e gjysmë nga dënimi me burg 1 vit shtatorin e kaluar. Në një prononcim për mediat, ai deklaroi se brenda pak ditësh do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa shtoi se nëse nuk do të ketë një vendimarrje të drejtë, do t’i drejtohet, ashtu siç ka paralajmëruar Strasburgut.
“Unë jam izoluar dhe burgosur për shkak të bindjeve politike dhe për shkak të denoncimit të një personi të inkriminuar. Histori që nisi shumë vite përpara dhe nga dita në ditë të gjithë denoncimet që kam bërë në emër të PD dhe dhe të gjitha denoncimet nga PD, po faktohen duke faktuar së pari lidhjet e forta të krimit me qeverinë dhe kontrollet e grupeve të krimit dhe përfshirjen e personave në funksione më të larta qeveritare apo policore të drejtësisë. Pas këtij momenti, përfundimi i këtij turpi për drejtësinë, njolle turpi për drejtësinë e kapur politikisht nga Rama do ta vazhdoj këtë çështje deri në Strasburg. Dua të theksoj, se duke qenë se e kam provuar vetë edhe në kurriz që dmth të prodhohen padrejtësi nga institucionet. Do të punoj fort për interesat e qytetarëve që përballen me padrejtësi të përditshme nga institucionet e drejtësisë dhe që janë kthyer në institucione dhunuese e gjobash të përditshme. Beteja ime me drejtësinë është në rrugë e sipër, sapo ka filluar. Për pak ditë do të depozitoj në Kushtetuese dhe nëse do të ketë kontroll nga Rama, do të depozitoj në Strasburg. Jam i bindur në fitore. “, tha Salianji.
Salianji u dënua me 1 vit burg për kallëzim të rremë për dosjen “Babale”. Me dënimin me 1 vit burg, Ervin Salianji humbi mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, ku ishte zgjedhur në zgjedhjet e 2017-s dhe 2021-shit për 2 legjislatura. Sipas ligjit të dekriminalizimit ai nuk mund të zgjidhet në funksione publike për të paktën 5 vite pas mbylljes së dënimit, pra deri në vitin 2030 kur konsiderohet i rehabilituar. /kb