Last Updated on 10/10/2025 by adminfjala
Rrezimi nga Gjykata Kushtetuese i dekretit të Presidentit së Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, për zgjedhjet në Bashkinë Tiranë ka sjellë pikëpyetje mbi fatin e kryeqytetit të vendit.
Për këtë, në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ishte i ftuar analisti Neritan Sejamini, i cili sqaroi dhe më shumë mbi mundësinë e hyrjes ose jo të Tiranës në zgjedhje më 9 nëntor 2025.
Bazuar nga rrezimi i bërë kushtetues, si dhe Kodi Zgjedhor, Sejamini sqaron se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndodhet përballë faktit se nuk mund të bëjë asnjë veprim për Tiranën.
“Nuk bëhen dot zgjedhje më datë 9, sepse nuk është më vullneti i askujt por i KQZ-së. KQZ-ja sot është e bllokuar, nuk bën dot asnjë veprim për zgjedhje. Gjithmonë Tirana”, tha ai.
Arsyeja përse KQZ-ja nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim elektoral për kryeqytetin, është përballja e Veliajt me drejtësinë, pas ankimit të bërë nga ai për shkarkimin e tij si kryebashkiak. Derisa të merret vendimi përfundimtar i Kushtetueses pas ankimit të Veliajt, Tirana ngelet me kryetar bashkie të komanduar.
“Tani, zgjedhjet kanë afate. Afati i fundit për regjistrimin e partive politike, të kandidatëve, të komisionerëve, të të gjithave. Sot, megjithëse janë shpallur tre kandidatë, ligjerisht asnjë nuk është i regjistruar. Tani, këto afate bien të gjitha se KQZ-ja nuk bën dot asgjë deri me datë 31 tetor. Kështu që zgjedhjet janë automatikisht të pabëshme”, tha ai.
Më herët sot, Partia Socialiste deklaroi se fushata elektorale për Manastirliun do të vijojë. Sejamini shprehet se “nuk ka rëndësi çfarë bën PS, kryeministri, qeveria”, për aq kohë sa Tirana në pritje të vendimit të Kushtetueses.
“Nuk ka si t’i mbajë, se të mbajë zgjedhje ka një afat se kur regjistrohen. Nuk ka rëndësi çfarë bën PS, kryeministri, qeveria. KQZ-ja nuk bën dot asnjë lloj veprimi deri sa të mbarojë vendimin Gjykata Kushtetuese.
Pra, praktisht zgjedhjet nga ana praktike nuk mund të përgatiten, sepse institucioni përgjegjës është i detyruar me ligj të ndërpresë çdo lloj përgatitje për zgjedhjet e Tiranës”, tha ai. m.p.
