Last Updated on 15/10/2025 by EL
Ish-drejtori i Policisë, Ahmet Prençi ka kritikuar raportimin e kreut të SPAK, Altin Dumanit për veprimtarinë e Strukturës së Posaçme në Komisionin e Ligjeve. Prençi tha se dy kryebashkiakë të qarkut të Shkodrës, konkretisht Kristian Shkreli i Vaut të Dejës dhe demokrati Hilë Curri i Fushë-Arrëzit, janë nën hetim nga SPAK, dhe kjo pas denoncimeve publike të kryeministrit Rama.
Ndërkohë ish-drejtori i Policisë, thotë se e njëjta gjë nuk ndodh kur opozita denoncon me të madhe për vjedhjet e votave në Fier, Vlorë, Elbasan e Tiranë apo për veprimtari të tjera të paligjshme të zyrtarëve shtetërorë.
“Janë 2 raste në qarkun Shkodër, bëhet fjalë për bashkinë e Vaut të Dejës dhe të Fushë-Arrëzit. Ata e dinë tashmë që janë nën hetim. Të dy rastet i ka denoncuar publikisht kryeministri i Shqipërisë.
SPAK kur bërtet kryeministri dhe thotë shiko ti atje të Vaut të Dejës mos luaj me dy porta, SPAK menjëherë ka fillur hetimet. Ndërkohë që kur bërtet opozita që po bëhet nami në Durrës e Tiranë, po blihen vota me thasë në Fier e Vlorë e Elbasan sidomos, në mënyrë kategorike SPAK nuk ka kryer asnjë veprim.
Madje kam dëgjuar dhe prononcime të tjera të SPAK se denoncimet e opozitës nuk janë të mjaftueshëm e nuk janë të plota. Opozita po të kishte grup hetimor në dispozicion dhe të kishte të drejtë për t’i arrestuar, nuk kishte pse të shkonte të SPAK. Opozita apo kushdo tjetër, është indicie për të vënë në lëvizje organin e SPAK dhe prokuroritë e tjera. Këtë nuk duhet ta paraqesin si sukses sepse është trumbetuar me të madhe taskforca për parandalimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore”, tha Prençi./e.t
