Nga Leonard Veizi
Ai ishte një mëngjes që e mbuloi shpresën me pluhur dhe tym. Ishte 9 nëntori i vitit 1993, Qielli mbi Mostar nuk u mbush me re, por me zjarr e klithma. Pas ditësh bombardimesh të pandërprera, ra goditja e fundit: Ura e Vjetër, – apo Stari Most, siç njihet në gjuhen serbo-kroate, – krenaria 427-vjeçare e qytetit, simbol i bashkëjetesës ndërmjet kulturave dhe feve – u shemb. Gurët e saj, të lagur nga shekuj historie, u zhytën në ujërat e lumit Neretva.
Pamjet e rrëzimit u transmetuan drejtpërdrejt në ekranet e televizioneve botërore, duke shënuar një nga çastet më tronditëse të Luftës Kroato-Boshnjake. Në atë fragment historie, nuk u rrëzua vetëm një monument, por u shemb një urë që lidhte popuj, kujtesa dhe shpresa.
Monumenti i bashkëjetesës
E ndërtuar në vitin 1566, gjatë periudhës osmane, “Stari Most” u ngrit nga mjeshtri i njohur Mimar Hajrudin, nxënës i arkitektit të madh Sinan. Për më shumë se katër shekuj, ajo qëndroi si dëshmi e gjallë e mjeshtërisë inxhinierike dhe harmonisë kulturore që e përkufizonte qytetin e Mostarit.
Ajo nuk ishte një urë e zakonshme – ishte zemra e qytetit, një pikë ku takoheshin lindja dhe perëndimi, islami dhe krishterimi, boshnjakët dhe kroatët, njerëzit që ndanin lumin, por jo domosdoshmërisht kufijtë. Për banorët e Mostarit, ajo ishte më shumë se infrastrukturë – ishte identitet, dashuri, kujtesë.
Metafora e një tragjedie
Më 9 nëntor 1993, pas një serie sulmesh artilerie nga forcat kroate, ura u rrëzua. Për shumëkënd, ajo u pa si shembja e vetë shpirtit të bashkëjetesës në Ballkan. Në një kohë kur urat simbolike ndërmjet popujve po digjeshin njëra pas tjetrës, shkatërrimi i Stari Most u bë imazhi më i qartë i absurditetit të luftës në ish-Jugosllavi.
Ky akt barbar nuk ishte vetëm një dëmtim i trashëgimisë kulturore, por një krim ndaj kujtesës dhe njerëzimit. Rrëzimi i urës tronditi ndërgjegjen ndërkombëtare, duke sjellë në vëmendje faktin se lufta nuk shkatërron vetëm jetë njerëzish, por edhe urat që lidhin shpirtrat dhe historitë e tyre.
Rindërtimi
Pas përfundimit të luftës, nën kujdesin e UNESCO-s dhe ndihmën e shumë vendeve, u nis një projekt ambicioz për rindërtimin e Stari Most. Puna zgjati disa vite, duke ndjekur me përpikëri teknikat tradicionale osmane dhe duke përdorur gurë të rinj të nxjerrë nga i njëjti gurore i shekullit XVI.
Më 23 korrik 2004, ura u inaugurua sërish me një ceremoni solemne ku morën pjesë përfaqësues nga mbarë bota. Ajo nuk u pa më thjesht si një objekt arkitektonik, por si një akt pajtimi, një simbol i ringjalljes dhe i vullnetit për të ecur përpara, pavarësisht plagëve të së kaluarës.
Trashëgimia që sfidon urrejtjen
Sot, Stari Most është më shumë se një monument historik – është një testament i qëndresës së shpirtit njerëzor. Ajo bën pjesë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dhe çdo vit mijëra njerëz vijnë në Mostar për të parë urën që dikur u rrëzua nga urrejtja, por u ngrit sërish nga shpresa.
Në heshtjen e mbrëmjeve mbi Neretva, ura duket sikur flet – kujton të kaluarën, por edhe pëshpërit një të ardhme ndryshe. Sepse, siç dëshmon historia e saj, njerëzimi mund të shembet, por mund edhe të rindërtohet – gur pas guri, shpresë pas shprese.
