Në pesë bashki të vendit, Vlorë, Berat, Cërrik Mat dhe Tepelenë, këtë të diel po zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore, ku rreth 334 mijë qytetarë me të drejtë vote pritet të zgjedhin kryebashkiakët e rinj.
Ndryshe nga herët e tjera, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk ka bërë asnjë reagim publik lidhur me procesin zgjedhor. Asnjë postim, thirrje apo mesazh për pjesëmarrje në votime nuk është shpërndarë në kanalet e tij zyrtare.
Edhe pse asnjë prej kandidatëve që garojnë në këto zgjedhje nuk përfaqëson zyrtarisht Partinë Demokratike, por kanë hyrë në garë si kandidatë të pavarur të mbështetur nga opozita, mungesa e një qëndrimi publik nga Berisha ka rënë në sy.
Në krahun tjetër, Partia Socialiste ka qenë aktive që në orët e para të mëngjesit. Kryeministri dhe kreu i PS-së, Edi Rama, përmes një postimi në rrjete sociale, u ka bërë thirrje qytetarëve të pesë bashkive që t’u drejtohen kutive të votimit dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre.
Zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit po zhvillohen për shkak të vakancave të krijuara në krye të këtyre bashkive. Deri më tani pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje është e vakët. m.p.
