Last Updated on 10/11/2025 by Monika
Banka e Shqipërisë ka vlerësuar projektbuxhetin e vitit 2026 si optimist, duke mbështetur rritjen ekonomike dhe konsolidimin fiskal, por ka dhënë pesë rekomandime për qeverinë.
Një nga pikat kyçe është rishikimi i skemës së pensioneve, për shkak të plakjes së popullsisë dhe deficitit që vazhdon të rëndojë mbi buxhetin.
Zëvendësguvernatorja Luljeta Minxhozi tha se është e nevojshme të promovohen shtyllat e dytë dhe të tretë të pensioneve dhe të integrohet analiza e rreziqeve demografike dhe fiskale në kuadrin afatmesëm të buxhetit, sipas praktikave më të mira të Bashkimit Evropian.
Përveç pensioneve, Banka rekomandon monitorimin e koncesioneve dhe shpërndarjen më të ekuilibruar të shpenzimeve gjatë vitit, për të siguruar që buxheti të mbështesë qëndrueshmërinë fiskale në të ardhmen./ MXH
