Last Updated on 14/11/2025 by Monika
Prestigjiozja “El Pais” i ka dedikuar një artikull Shqipërisë për një nga lajmet e bujshme të kësaj jave. Bëhet fjalë për vendimin e SHBA për sanksionimin e një familjeje shqiptare të lidhur me grupin Sinaloa në Amerikën Latine.
Ja çfarë shkruhet në këtë artikull:
“Shqipëria, një vend ballkanik i qeverisur nga Edi Rama, akuzohet se toleron mafian dhe se pastron para të karteleve të narkotrafikut. Kështu zbulohet në një investigim të mediave Blast dhe Follow the Money. Ndërsa rrjetet kriminale zgjerojnë ndikimin e tyre deri në politikë dhe drejtësi, Brukseli vazhdon të shtyjë përpara anëtarësimin e Shqipërisë, nxitur nga pozita strategjike në Adriatik dhe bashkëpunimi i ngushtë me NATO-n”.
“El Pais” ka publikuar një video të gjatë, ku shpjegon në detaje ngjarjen e komunikuar dje dhe sot edhe në mediat shqiptare.
Programi që ka publikuar këtë video është prodhuar nga kanali ARTE dhe shpërndahet në 10 gjuhë falë projektit Emove Hub, që, përveç EL PAÍS, përfshin Balkan Insight, Sinopsis (Rumani), Gazeta Wyborcza (Poloni), Internazionale (Itali), Ir (Letoni), Kathimerini (Greqi), Le Soir (Belgjikë) dhe Telex (Hungari). Mediat që marrin pjesë në projekt financohen nga Bashkimi Europian në përputhje me European Media Hubs, e udhëhequr nga Drejtoria e Përgjithshme për Rrjetet e Komunikimit, Përmbajtjes dhe Teknologjisë (DG Connect), që është pjesë e veprimeve multimediale të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian.
